13 Shkurt, 2022 - 2:33 pm
Liljana Cingu, valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore është rikthyer në skenë. Jeta e artistes ka qenë e lidhur në mënyrë të pashmangshme me vallen. Lili ashtu siç e thërrasin të njohurit, ka krijuar një personalitet të sajin tipik jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. Ndaj dhe gjurmët qe ajo ka lënë kudo si në Shqipëri ashtu edhe nëpër botë janë të shumta.
“Jeta ime ka qenë valle, brenda dhe jashtë shtetit. Përfaqësim për vendin tim dhe e kemi përfaqësuar me dinjitet. Vula ime ka qenë kudo kur unë hapja krahët dhe kërceja shqipet dhe ne thonim jemi bijtë e kësaj shqipe, por këtë shqipe ne duhet ta dashurojmë duhet të jemi shumë të lidhur me vallen, sepse kur hap krahët e kërcen këtë valle je një shqipe. Unë them që nuk ka largim vallja, vallja është jeta për vendin tonë. Në qoftë se ne do të përfaqësojmë vendin ne duhet të kërcejmë vallen, sepse do bjeri muzika do vishet kostumi ai është përfaqësim për vendin tonë. Vallja kurrë nuk vdes, ajo është perlë.”
Ikona e valles shqiptare shpreh emocion jo vetëm kur kujton fillimet e saj në skenë, por dhe për punën e pandalshme me edukimin e brezit të ri në krijimtarinë popullore.
“Emocionin më të madh unë e kam pasur kur isha në moshën e këtyre të rinjve, pra një 19-vjeçare, kur “Gjerdani i Artë” në Dizhon u vu në qafën time. Unë jam shumë e lumtur kur futem në sallë dhe shikoj atë rini që me përkushtim e luan shaminë, e hedh këmbën, e kërcen dhe me të vërtetë djersit, ajo është diçka që i ve vulën institucionit. Ansambli është jeta e vendit tonë.”
Gjatë karrierës së saj, Liljana Cingu numëron me dhjetëra çmime, urdhra e medalje të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe është nderuar nga presidenti i republikës me urdhrin “Mjeshtre e madhe” për kontributin e dhënë në vallen popullore shqiptare./ KultPlus.com