16 Prill, 2018 - 6:00 pm
Gili Hoxhaj
Lorik Halilaj është i ri në moshë por që me zërin, kitarën e pianon e tij, shpesh merr përsipër të luaj edhe këngë të artistëve më të vjetër, shkruan KultPlus.
Përmes zërit e kitarës, ai së fundmi ka realizuar një pjesë të këngës së Johnny Cash “I walk the Line”. Kjo këngë veçohet për muzikalitetin e vokalit depërtues dhe të thellë, ndërsa përmes zërit të Lorik Halilaj, vërehet një ngjashmëri e jashtëzakonshme e interpretimit me këngëtarin e njohur amerikan.
Fusha e studimit të Lorik Halilaj është krejt e ndryshme me muzikën, të cilës ia kushton një pjesë të madhe të kohës së tij. Ai tregoi për KultPlus se familja e tij ka qenë gjithnjë dëgjuese e muzikës së kohës së rock and rollit, jazz- pop –it etj dhe si e tillë ka kontribuar shumë në rritjen e pasionit të tij për muzikën.
“Interesimi im që të merrem me muzikë është formuar atëherë kur e mora një dhuratë prej prindërve që ka qene një tastierë, lodër e vogël. Atëherë kam qenë vetëm 12 vjeçar dhe aty kam pasur mundësinë që t’i mësoj akordet dhe meloditë e para”, tregoi Lorik Halilaj, i cili shtoi se hera e parë kur brenda tij do të shpërthente pasioni i tij për t’iu përkushtuar më seriozisht muzikës, ka qenë momenti kur ka luajtur në piano për herë të parë, në moshën 15 vjeçare.
Zëri i artistit të njohur amerikan Johnny Cash ka qenë një nga zërat e këngëtarëve të parë që do të dëgjonte Loriku si fëmijë. Arsyeja përse ai ka zgjedhur të sjellë një pjesë nga kënga “I walk the Line”, është fakti se këtë këngë e ka dëgjuar me vite dhe si e tillë ia kthen nostalgjinë e fëmijërisë.
“Për arsye se ka qenë njëra ndër këngët e mia të preferuara të tij edhe krahas shume kohëve nostalgjike prej fëmijërisë që mi kujton i është përshtatë vokalit tim shumë”, tregoi Loriku.
Krejt në fund po ju sjellim edhe këtë version të shkurtër të këngës “I walk the Line”, interpretuar nga Lorik Halilaj./ KultPlus.com