30 Tetor, 2020 - 10:30 am
Para 12 vjetësh ishte videoja që shfaqte yje e Will.I.Am-it – “Yes We Can” – ajo që u bë jehona përcjellëse e garës historike të Barack Obamas për presidencë.
Tani, më pak se një javë para zgjedhjeve, artist, që ka fituar gjashtë çmime “Grammy”, është duke i përdorur edhe një herë aftësitë e tij, kësaj radhe për ta fuqizuar kandidatin demokrat për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Grupi i Will.I.Am-it, “Black Eyed Peas”, i ka bashkuar forcat me fituesen e çmimit “Oscar”, Jennifer Hudson, për ta realizuar “The LOVE”, një ripërpunim ky i hitit global të grupit nga viti 2003, “Where is the Love”.
“The LOVE” përmban jehona stilistike të njohura të videos së 2008-s “Yes We Can Video”, dhe përdor pjesë të fjalimit në Konventën Kombëtare Demokratike të Joe Bidenit në strofat hyrëse dhe përmbyllëse të këngës, transmeton KOHA.
“Amerika është vërtet e zhytur në krizë për shkak të keqmenaxhimit apo të them mosmenaxhimit me pandeminë Covid. Për një vend që ka sistemin më të mirë shëndetësor në botë jemi më së keqi, kur llogariten rastet e infektuara dhe vdekjet. Vështirësitë ekonomike dhe familjare janë gjithashtu enorme. Do të duhen vite të tëra që të rregullohet kjo katrahurë”, ka thënë Will. I. Am.
Projekti paraqet edhe një sërë aktivistësh, përfshirë edhe anëtarët e familjes së George Floydit dhe Jacob Blakeit. Videoja nis me vetë Bidenin duke cituar fjalët e ikonës së të drejtave të njeriut, Ella Baker, “Jepuni dritë dhe njerëzit do ta gjejnë rrugën”.
Në një vit racizmi në SHBA, videoja tashmë ka gjeneruar gati 30 milionë shikime ani pse është publikuar javën e kaluar. Si Biden ashtu edhe ish-zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama, e kanë shpërndarë me ndjekësit e tyre në Twitter, me qëllim që t’i mobilizojnë votuesit para 3 nëntorit. / KultPlus.com