3 Korrik, 2018 - 11:03 am
Maratona katërditore e koncerteve nga kitaristë të njohur botërorë dhe ajo e garës për çmimin e kitaristit më të mirë, është përmbyllur me shpalljen e fituesve.
Edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës në Pejë përfundoi të dielën mbrëma në teatrin e qytetit “Istref Begolli”.
Shtatë kitaristë kishin garuar për çmimin kryesor të festivalit, prej të cilëve katër kanë qenë nga Kroacia dhe tre të tjerët nga Tajlanda, Belgjika dhe Holanda. Çmimi kryesor i festivalit, që mban emrin e kitaristit të famshëm pejan, Ehat Musa, shkoi në Kroaci, sikurse edhe tri edicionet e kaluara.
Juria e përbërë nga kitaristë të nivelit botërorë, disa prej të cilëve kanë qenë edhe pedagogë në masterklasat e mbajtura si dhe koncertistë − Alejandro Cordova nga Meksika, Margarita Escarpa nga Spanja, Ehat Musa, Petrit Çeku, Thomas Offermann, Pia Gazarek Offermann dhe Julia e Christian Zielniski nga Gjermania, Monika Kranjc-Stih nga Sllovenia dhe Drilon Çoçaj nga Kosova − vlerësuan si më të mirin kitaristin 23-vjeçar nga Zagrebi, Lovro Peretiq.
Herën e parë ai kishte garuar në edicionin e parë të festivalit, kur kishte zënë vendin e dytë, ndërsa tash ai kthehet në vendin e vet jo vetëm me titullin e më të mirit dhe me një mijë euro shpërblim. Çmimi kryesor atij i ka sjellë si dhuratë edhe një kitarë klasike në vlerë prej 4 mijë e 500 eurosh, të punuar nga mjeshtri italian, Luka Milani, i cili edhe ia dhuroi kitarën personalisht, shkruan sot “Koha Ditore”.
Çmimin e dytë e mori Chuaei Leen nga Tajlanda e të tretin Vanesa Iliçiq po ashtu nga Kroacia./ KultPlus.com