Lovro Pogorelich, sonte me koncert në Tiranë

25 Qershor, 2018 - 9:42 am

Pas Rita Orës dhe Ermal Metës, Tirana do të presë sonte edhe një tjetër spektakël muzikor. Por kësaj here bëhet fjalë për muzikë klasike nga një pianisti me famë botërore, Lovro Pogorelich.

Duke nisur nga ora 20:30 ai dhe orkestra e zgjedhur që e shoqëron do të performojnë në ambientet e Muzeut Kombëtar disa nga veprat më të njohura të dy autorëve rus Sergei Prokofiev dhe Modest Musorgski.

Nga prokofiev ai do të interpretojë Sonatën Nr. Me 3 kohë, ndërsa nga kompozitori Modest Musorgski do të luajë veprën muzikore “Tablo në Ekspozitë” e frymëzuar nga një vizitë në një ekspozitë arti. Secila nga kohet përfaqëson një nga vizatimet ose veprat e artit në ekspozite. Rëndësia dhe popullariteti i kësaj vepre është kaq e madhe sa cilësohet si vepra ciklike për piano më e rëndësishme ruse.

Musorgski kompozoi “Tablo-të” si një përkujtim për mikun e tij, artistin rus Viktor Hartmann, i cili kishte vdekur në 1873 në moshën 39 vjeç. Pak kohë pas vdekjes së artistit, Musorgski vizitoi një ekspozitë retrospektive të skicave, pikturave dhe studimeve te Hartmann, dhe ndjeu nevojën për të kapur esencën e saj në muzike.

Vepra paraqitet ne 10 kohe muzikore të 10 pikturave të Hartmanit, të ndërlidhura nga një temë e përbashkët e përsëritur, quajtur “Promenade” ( Shëtitje), që përfaqëson një vizitor – në këtë rast, kompozitori vetë – shëtitës nëpër ekspozitë, shkruan GSH./ KultPlus.com

Të ngjajshme