Luan Sapunxhiu sjell me kitarë “Këngo moj buçitë” (VIDEO)

30 Dhjetor, 2018 - 5:41 pm

Kitaristi Luan Sapunxhiu, i cili ka ditur gjithmonë të sjell tinguj të bukur dhe të këndshëm për dëgjuesin, vazhdon të jetë aktiv me prurjet e tij të këndshme. Kësaj radhe Luani përmes një video ku shfaqet me kitarë në dorë, sjellë tingujt e bukur të “Këngo moj buçitë” e përmes të cilës këngë përçon një mesazh për vitin që po vjen, shkruan KultPlus.

Dëshira e Luanit është që në vitin që po vjen, 2019-tën të jehojë kënga.

“Këngo moj buçitë në 2019-tën … Gëzuar!”, ka shkruar Luani në Facebook teksa ka shpërndarë me ndjekësit e tij edhe videon.

Luan Sapunxhiu u lind në Pejë më 6.10.1953. Kitara ishte përcaktim natyror i tij meqenëse kitara në familjen Sapunxhiu, ishte prezente para lindjes së Luanit. Që nga fëmijëria ishte i opsesionuar me kitarën dhe muzikën flamenco. Dëgjimi i kitaristëve Sabicas dhe Montoja ishte aktiviteti i tij i përditshëm për vite të tëra. Megjithatë nuk mund t’i ikte fatit të gjeneratës së vet që në mesin e viteve të ’60 kur edhe Luanin e rrëmben muzika rok. Në vitin 1968 së bashku me shokët, Efraim Kastrati, Bedri Islami, Bujar Sapunxhiu dhe Adnan Zatriqi e shohim si solo-kitarist të pop-rock grupit “Meridianët” me të cilin për katër vite me radhë interpretojnë hitet e atëhershme botërore të grupeve më të njohura. Si gjimnazist kishte kontakte të shpeshta me kitaristin Ehat Musa i cili me stilin, deri atëherë të panjohur për Luanin si kitarist i muzikës klasike, ia shton kureshtjen për mënyrën klasike të interpretimit. Në fund të viteve ’70 të shek të kaluar fillon shoqërimin më intensiv me kolegun, tani më me famë botërore Ehat Musën. Me sugjerimin e Ehatit dhe ftesën nga Shkolla e Muzikës në Pejë, në vitin 1985 punësohet si mësimdhënës në klasën e kitarës. Ishte hera e parë që u hap dega e kitarës në Kosovë. Në vitin 1994 ftohet në Prizren në Shkollën e Muzikës “Lorenc Antoni” ku gjithashtu për herë të parë bëhet bartës i klasës së kitarës. Angazhimi në Prizren rezultoi me shumë sukses si për Luanin ashtu edhe për Prizrenin dhe nxënësit e tij. Me numrin e madh të nxënësve që e mësuan kitarën nga Luani e që sot janë të diplomuar në kitare dhe që veprojnë si koncertues mund të konsiderohet si profesori më i suksesshëm jo vetëm në Prizren. Është padyshim, më i merituari që sot kitara është prezente në të gjitha qytetet e Kosovës ku shumica e profesorëve të sotëm si, Elvis dhe Gjulian Bytyqi, Drilon Çoçaj, Dukagjin Islamaj, Bardh Abazi etj. kitarën e mësuan nga Luan Sapunxhiu. Te Luani mësimet për tetë vite radhazi i morri edhe kitaristi tani më me famë botërore Petrit Çeku. Luan Sapunxhiu me kitarën e tij që nga viti 1977 është paraqitur shpesh në programet televizive. Gjatë viteve të ’90 dhe pasluftës u prezantua në qindra koncerte në të gjitha qytetet e Kosovës. Sot Luan Sapunxhiu vazhdon të jetë aktiv në punën pedagogjike dhe me paraqitjet në koncerte të ndryshme. /KultPlus.com

Të ngjajshme