Lucia de Carvalho me ritëm, dritë dhe fuqi u bë një me publikun e “FemArt”

29 Shtator, 2024 - 9:02 pm

Shkruan: Gili Hoxhaj

Lucia de Carvhalo kur e sheh në një poster paralajmërues për koncert të bind se duhet ta dëgjosh. Duket se është e veçantë në stilin e saj dhe gërsheton shumë stile. Por, nuk e kisha imagjinuar se do të vij pikërisht siç është aty, me të njëjtën veshje, të njëjtin instrument, të njëjtat atlete, të njëjtin stil flokësh si dhe të njëjtën buzëqeshje.

Një artiste që i jep publikut fiks atë që e premton. Që në këngën e parë me Lucian nuk ke se si të mos vallëzosh. “Jam këtu me ju dhe për ju”, i drejtohet ajo publikut. Me instrumentin e saj në duar e buzëqeshjen që duket se po te sheh në sy me një mesazh të fut në valle të lumturisë që e rrezaton. “Është hera ime e parë këtu dhe shpresoj të mos jetë e fundit”, iu drejtua ajo publikut mes këngëve. Ajo në mbrëmjen e tretë të “FemArt” solli dritën krijuese të albumit të saj “Pwanga”.

Më interesoi titulli i albumit dhe historia e tij ishte po aq inspiruese. Lucia ndan miqësi me dikë që i udhëzon njerëzit në shkrimin e dëshmive personale të krijuara për të rritur vetëvlerësimin. Në fund të një projekti në Angola, prej nga ajo vjen, shoqja e saj kërkoi nga gratë fermere me të cilat kishte punuar të pozonin për një foto dhe vuri re se askush nuk buzëqeshte. Një përkthyes e këshilloi atë të mblidhte grupin dhe të pyeste, në Chokwe, “Pwangani puy?” (Drita apo errësirë?) – dhe të gjitha gratë u përgjigjën “Pwanga!” ndërsa u ndriçuan.

Këtë dritë, Lucia synon ta mbjellë me muzikë, ta bartë kudo dhe kështu ndodhi dhe në teatrin “Oda” në Prishtinë. U shkri me muzikën dhe me publikun e me vete kishte një grup profesionistësh ku ajo vetë luante në perkusione. Ajo vjen nga Angola por që iu desh të zhvendosej në Francë kur ishte veç 6-vjeçe për shkak të luftërave civile. Dhe kjo e bëri të lidhej menjëherë me Kosovën. “Kur mësova për historinë këtu, thash “woow”, kjo është një tokë e lirisë”, u shpreh këngëtarja teksa u përkul në tokë. Më pas kaloi te kënga “Phowo” që do të thoshte “Grua”. 

“Ka të bëj me hyjnoren, njerëzoren se si ne i japim lindje botës, për ujin dhe ushqimin që e sjellim për ta bërë secilin të ndihemi të gjallë. Është një këngë e fuqishme”, paralajmëroi Lucia. Dhe ashtu ndodhi. Lucia solli magji në skenë e plot spirtualitet. Në 13 këngë artistja eksploron muzikën e saj të shumanshme përmes forcave polare që sfidojnë të gjithë: dyshimin dhe besimin, mirësinë dhe fuqinë, kompleksitetin dhe harmoninë, kaosin dhe qetësinë, misterin dhe qartësinë. Ekziston një unitet i mrekullueshëm në të gjithë, mjaft i mahnitshëm duke pasur parasysh se ajo këndon në gjashtë gjuhë dhe ndërthur stile të panumërta – duke përfshirë samba, semba, Afrobeat, rap, rock, reggae, funk dhe pop latin. E gjithë kjo rrjedh nga kuptimi i Carvalhos për identitetin e saj nga kaq shumë pjesë: e lindur në Angola, vendosur në një fshat fëmijësh në Portugali në moshën gjashtë vjeçare dhe birësuar nga një familje franceze në moshën 12-vjeçare; në moshën 16-vjeçare ajo u bashkua me një ansambël brazilian dhe performoi me ta për 10 vjet, duke u bërë vokaliste kryesore, përpara se të niste karrierën e saj solo si kantautore.

Autoportreti që ajo kompozoi përfundimisht tregon rrënjët Angolane, një kërcell portugez dhe lule braziliane, të ushqyera në tokën franceze. Kjo e bëri edhe aktoren Aurita Agushi që të zhytej në ritmin e botës së saj.

“Për gati dy orë Lucia de Carvahlo më bëri të ndjeja një botë më të bukur, plot jetë e plot ngjyra – një botë ku mbi të gjitha triumfon dashuria. Zëri i saj, poezia në këngët e saj, lëvizjet skenike, mënyra se me sa lehtësi i ndërronte dhe luante ne instrumente te ndryshme ma prekën mendjen, zemrën e mbi të gjitha shpirtin”, tha aktorja Aurita Agushi.

Albumi i saj transmeton dridhje të mira përmes trazirave botërore në Yallah. E zhytur shpesh mes kaosit, Lucia vërehej se mbahej fort prej dritës dhe dashurisë brenda saj. E jetuam të gjithë historinë e saj dhe e festuam më tepër pasionin dhe guximin se Lucia del në skenë ashtu siç është – me të kaluarën dhe të tashmen, me historitë e të gjithëve që e kanë rrethuar. Si dhe me ndjesitë e publikut duke na i prezantuar historitë si të përbashkëta. 

“Dashuria shkon përtej, “Yallah”, luftërat i vendosin njerëzit njërin mbi tjetrin, por dashuria nuk do t’ia dij për ndryshimet. “Yallah” është një fjalë që na nxit të vazhdojmë me dashuri në zemër dhe paqe në mendje”, tha ajo para se të këndonte këngën me titull “Yallah” që nënkuptonte “Let’s go” (Le të shkojmë).  

Venera Ismaili nga Artpolis thotë se u tërhoqën nga energjia që ajo sjell në skenë për ta sjell edhe në “FemArt” – ku fuqia shprehëse muzikore rezonon me temën e festivalit.

“Lucia me stilin e saj unik që ndërthur kulturat dhe përvojat personale, fuqizon gratë dhe përçon mesazhe të fuqishme për barazi, forcë dhe paqe. Ajo rikujton rëndësinë e artit si një mjet për të shprehur historitë e grave dhe për të ndërtuar ura ndërmjet kulturave të ndryshme, duke e bërë FemArt një hapësirë të vërtetë të solidaritetit dhe motërzimit ndërkombëtar”, u shpreh ajo.

Zëri i saj pushtues, i matur e energjia të ftonin në afërsi. Kjo bëhej edhe më e dukshme kur këngëtarja braktisi skenën e hyri në mes të publikut për të vallëzuar së bashku. Uniteti mund të krijohet gjithmonëme muzikë, jo vetëm duke kënduar e vallëzuar në skenë, por duke kënduar e vallëzuar së bashku. Uniteti krijohet me muzikante si Lucia dhe me mbrëmje si kjo në “FemArt”. Lucia synon ta mbjellë dritën me muzikë. Edhe e bëri në Prishtinë, veçse drita e saj ishte me plot ngjyra – e mbjellur në zemër. / KultPlus.com

Të ngjajshme