LUI$A, vajza që ka arritur nga bursa e plotë në shkollën e Jay-Z e deri tek marrëveshjet globale

24 Janar, 2025 - 5:18 pm

LUI$A (lindur Luisa Boshnjaku në Queens) artistja alternative-pop e rritur në Prishtinë, me bazë në Nju Jork, sapo ka nënshkruar një marrëveshje globale me Broke Records e cila është aktualisht një nga shtëpitë muzikore të pavarura që po zgjerohet më së shpejti në botë.

Përmes kompanisë së menaxhimit të artistëve “Three60 Music”, LUI$A, që është vajza e producentit të njohur Florent Boshnjaku, ka arritur të nënshkruaj një kontratë për publikimin e dy EP-ve, secila me nga pesë këngë, duke shënuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj.

Muzika e saj është një miks mes eksperimentalizmit elektronik dhe popit komercial, me frymëzim nga ikona të ndryshme si FKA Twigs, Madonna dhe A$AP Rocky, si dhe kultura e gjallë e jetës së natës që ka formësuar rrugëtimin e saj krijues. Udhëtimi i saj muzikor filloi në SoundCloud në moshën 12 vjeçare, ku ajo ndau për herë të parë “beat-et” e saj trip-hop si një producente e re. Me kalimin e kohës, ajo kaloi në shkrimin e këngëve, duke filluar ti ndaj këngët e saj origjinale me botën. Performancën e parë e pati gjatë pandemisë në VFILES PTA Remote Sessions në 2020, ku eventualisht nga skenat virtuale filloi me shfaqje të drejtpërdrejta në vende ikonike si Madame Siam dhe The Peppermint Club në Los Angeles.

Në vitin 2022, LUI$A u diplomua në LAAMP (Akademia e Los Anxhelosit për Artistët dhe Prodhimin e Muzikës), e themeluar nga dyshja fitues të çmimeve Grammy, producentët Stargate, të njohur për hitet e tyre me Beyoncé, Rihanna dhe Charli XCX. Gjatë kohës së saj në LAAMP, ajo morri çmimin “Artistja e Vitit” ku pati mundësinë të mentorohet nga profesionistë të industrisë si Benny Blanco, Jozzy dhe Jimmy Napes, përvoja që i ndihmuan në përsosmërinë e aftësitëve të saj dhe thelluan të kuptuarit e saj për prodhimin muzikor dhe shkrimin e këngëve. Arti i LUI$A është thellësisht i inspiruar nga skena e muzikës dhe artit të Kosovës, ku ajo ka bashkëpunuar me shumë dizajnerë, artistë vizualë dhe muzikantë vendas. Me njohuri të madhe të kulturës kreative të Kosovës, ajo frymëzohet shumë nga rikthimi i kulturës së rave dhe muzikës elektronike. Ky kontakt me jetën e natës në Evropën Lindore dhe energjinë e saj të veçantë është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të rrëfimit të saj artistik, duke u reflektuar qartë në temat që trajton muzika e saj.

Që nga viti 2023 LUI$A është duke ndjekur mësimet në një prej shkollave më prestigjioze të muzikës në botë, “Roc Nation School of Music, Sports & Entertainment”, e themeluar nga artisti dhe biznismeni i njohur Jay-Z. Ajo ka arritur të sigurojë një bursë të plotë, duke u bërë pjesë e një ambienti frymëzues të mbushur plot mundësi për artistët të rinj të talentuar. Kjo shkollë jo vetëm që njihet për standardet e saj të larta akademike dhe artistike, por edhe për përkushtimin ndaj formimit të artistëve si liderë të ardhshëm në industrinë e muzikës dhe argëtimit.

Për më shumë, LUI$A ka disa projekte shumë interesante, të cilat priten të lansohen gjatë këtij viti dhe të kenë një ndikim të rëndësishëm në karrierën e saj artistike. Projektet përfshijnë bashkëpunime të reja dhe krijime origjinale gjithmonë duke pasqyruar stilin e saj unik. Informata më të detajuara rreth këtyre projekteve dhe surprizave që LUI$A ka përgatitur do të bëhen publike së shpejti dhe ju ftojmë të na ndiqni në rrjetet tona sociale, si edhe në profilet zyrtare të LUI$ËS, për t’u informuar mbi publikimet dhe njoftimet më të reja./KultPlus.com

Të ngjajshme