Lule Elezi e Kastriot Tusha u prezantuan me koncert në Berlin, u shënua përvjetori i Pavarësisë së Kosovës

22 Shkurt, 2019 - 7:33 pm

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani ka shënuar njëmbëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Berlin, në mbrëmjen e së enjtës, ku këtë festë e kanë shënuar me një koncert festiv me pianisten Lule Elezi e tenorin Kastriot Tusha, sikurse që është prezantuar edhe Grupi Polifonik i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve të Tiranes dhe Grupi i Valleve ALB Univerzum të Shoqatës së Grave në Berlin, shkruan KultPlus.  

Pianistja e njohur kosovare Lule Elezi dhe tenori i mirënjohur Kastriot Tusha, prezantuan një program të pasur artistik me vepra të përzgjedhura enkas për këtë festë. 

Lule Elezi me William Walker

Fillimisht, para të pranishmëve të shumtë, dy artistët performuan tre himne shtetërore, atë të Kosovës, të Shqipërsië dhe atë të vendit nikoqir, Gjermanisë, dhe më pas të njëjtit performuan në programin e përzgjedhur për festë, me vepra shumë të njohura nga opusi krijues i kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botërorë si: P. Jakova, Ç. Zadeja, A.Mula, R. Falvo, E. de Curtis, F. Shubert, R. Schumann…, ku paraqitja e dy artistëve është mirëpritë me duartrokitje të ngrohta.  

Kjo mbrëmje artistike është përcjellë edhe nga ambasadori William Walker, ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, sikurse edhe nga ambasadorët e Kosovës dhe të Shqipërisë në Gjermani, Beqë Cufaj nga Kosova dhe Artur Kuko nga Shqipëria. /KultPlus.com

Të ngjajshme