28 Shtator, 2019 - 10:01 am
Muzika, ky art madhështor, që gjen mënyrën e të shprehurit përmes tingujve. Një art që nuk njeh gjuhë e nuk ka kohë.
Mbrëmë Salla e Kuqe në Prishtinë, ishtë mikëpritëse e një koncerti madhështor, qe nisi e mbaroi me duartrokitje e emocione të mëdha, shkruan KultPlus.
Nën performimin e pianistes Lule Elezi dhe me dirigjent Boian Viedenoff, ky koncert ishte edhe në rolin e koncertit inaugurues, duke qenë i pari që hap sezonin për vitin 2019/2020 për të gjitha koncertet e tjera në vazhdim, që do të mbahen për 10-të muajt e ardhshëm, nga Filharmonia e Kosovës.
Koncerti filloi me interpretimin e pianistes Lule Elezi, e cila si jo rrallë herë, mahniti publikun kosovarë me performancën e saj. Gishtat e saj tek shtypnin tastet e pianos, të krijonin bindje sikur ishin krijuar vetëm për piano dhe asgjë tjetër.
Emocionet ishin të paevitueshme, ndjenjat e kënaqësia që mbizotëronte në atë sallë ku ndëgjoheshin tingujt e bukur të muzikës klasike, e bënë natën e mbrëmshme një natë të veçantë shtatori.
Boian Videnoff, i njohur si dirigjenti artistik dhe gjeneral i Filharmonisë së Manhajmit si dhe për bashkëpunimet me solistët më në zë të kohës, u kthye para publikut të kryeqytetit tonë të bukur, për bashkëpunimin e radhës me Lule Elezin.
Lule Elezi luajti koncertin e vetëm për piano dhe orkestër të shkruar nga norvegjezi Edvard Grieg, njëherësh një prej koncerteve më të bukura të literaturës pianistike botërore.
Pianistja Lule Elezi, e cila në këtë mbrëmje pos që shkëlqeu me performancën e saj, në të njëjtën kohë shkëlqeu edhe me elegancën e saj skenike, e cila këtë koncert e vlerësoi si një ndër koncertet më për zemër përgjatë karrierës së saj.
Në një prononcim për KultPlus ajo është shprehur se ky koncert si soliste në piano, vjen për herë të dytë në bashkëpunim me orkestrën e Filarmonisë së Kosovës.
“Koncertin e parë e pata realizuar në vitin 2015, ku jam prezantuar me koncertin Nr 5 për piano dhe orkestër të kompozitorit të mirënjohur Beethoven (koncert mbretëror), kurse koncerti i mbrëmjes së fundit erdhi në një bashkëpunim të shkëlqyer me dirigjentin Boian Viedenoff”, ka thënë Elezi për KultPlus.
Ajo shpjegoi se në këtë mbrëmje është prezantuar me koncertin e kompozitorit Edvard Grieg, që njihet për veprat më romantike të literaturës pianistike në nivel botëror.
“Jam e nderuar që luajta koncertin për piano dhe orkestër nga Grieg, por në të njëjtën kohë që bashkëpunova me dirigjentin Viedenoff , pasi që, për këtë koncert ka ardhur enkas nga Gjermania”, ka thënë Elezi, e cila është mirënjohëse edhe për bashkëpunimin e ngushtë me drejtorin e Filarmonisë së Kosovës, Baki Jasharin, i cili bëri të mundur këtë paraqitje solistike, të përcjellë nga orkestra, sikurse që ka falënderuar edhe organizatorin e Filarmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, për koncertin e mrekullueshëm.
Pjesa e dytë dhë e fundit e koncertit ishte e rezervuar për Simfoninë 9-të në e-mol, të kompozitorit çek Antonio Dvorak, ndryshe e njohur si Simfonia ‘’Nga bota e re’’. Edhe kjo nën udhëheqjen e dirigjentit Boian Videnoff.
Salla e Kuqe, ishte e mbushur plotë me dashamirës të këtij arti të bukur. Publiku jetonte në çdo notë e çdo tinguj të falur nga orkestra. Thënë shkurt, e mira e muzikës është ndjesia, e për të ndjerë duhet vetëm të dëgjosh. /KultPlus.com