11 Dhjetor, 2018 - 2:00 pm
Pianistja e mirënjohur kosovare Lule Elezi do të prezantohet me koncert recital në Luksemburg, shkruan KultPlus.\
Ky koncert do të prezantohet në Luxembourg Salle Adenauer, më 12 dhjetor, me fillim në ora 20:00.
Lule Elezi ka treguar për KultPlus se në këtë koncert recital që do të zgjasë mbi një orë, do të prezantohet me vepra të kompozitorëve të njohur botërorë si: Beethoven, Chopin…
Por ajo që bie në sy është se në mesin e veprave të kompozitorëve botëror, në këtë koncert recital janë përfshirë edhe dy vepra të kompozitorëve kosovarë.
“Do të prezantoj edhe dy vepra të kompozitorëve kosovarë, si atë të Rauf Dhomit dhe Kreshnik Aliçkaj. Është e veçantë se të dy këto vepra, kompozitorët i kanë punuar me dedikim për mua, dhe është kënaqësi që të prezantoj krijimet e kompozitorëve kosovarë në një ngjarje kaq të rëndësishme”, ka thënë Elezi mbi këtë koncert që do të mbahet nesër./KultPlus.com