‘Lumina Electronik’ për herë të parë në Korçë, muzikë elektronike dhe adrenalinë për turistët

22 Korrik, 2024 - 10:00 pm

Spektakli mahnitës i ndriçimit, projeksionit dhe muzikës, Lumina Electronic, për dy netë me radhë gjatë kësaj fundjave u dha adrenalinë të rinjve korçarë, por edhe vizitorëve të shumtë duke e kthyer Parkun “Rinia” në një arenë elektrizuese.

Ky festival unik në vendin tonë, u mbajt për herë të parë në Korçe dhe ndërthuri muzikën me teknologjinë, trendin e kohëve moderne me qëllim promovimin e muzikës elektronike duke sjellë në qytetin juglindor, vizitorë dhe adhurues të kësaj muzike nga brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Në të gjithë botën evente të kësaj natyre janë padyshim një element që tërheq miliona vizitorë të cilët rezervojnë shumë kohë përpara pjesëmarrjen në event.

Me pjesëmarrjen e DJ më të njohur, i cili përfshiu shfaqjet e veçanta me projeksione dhe efekte speciale dritash shumëngjyrëshe, fishekzjarre e surpriza të tjera, për organizatorët edicioni i parë i këtij festivali i kaloi pritshmëritë.

Përfaqësuesi i “Tourism for Albania”, Bledar Leka u shpreh se “ky festival organizohet për herë të parë në Shqipëri. Është një ndërthurje midis muzikës elektronike dhe efekteve vizuale. Ky projekt synon të promovoje turizmin. Korçës i mungonte një event rinor. Nëpërmjet këtij eventi synojmë të sjellim sa më shumë të rinj”.

Ai bëri me dije se “në shtator do përgatisim një event tradicional. Do të sjellim serenatat e Korçës me qëllim promovimin edhe jashtë territorit”.

Eventi ndërthuri elementë të traditës në rrugicat e ballkonet karakteristike të Korçës duke kulmuar me performancat muzikore më të bukura tekno nga DJ profesionistë.

Ky festival bëri bashkë interpretues të ndryshëm muzikorë, të cilët përcollën atmosferë elektrizuese me stilin dhe muzikën e realizuar deri në orët e vona të mbrëmjes.

“Festivali tërhoqi të rinj nga çdo cep i Shqipërisë e rajonit dhe gjë që ka sjellë hotele të rezervuara. Lumina Electronic e kemi reklamuar jo vetëm në faqet e festivalit por edhe në shumë kanale të tjera komunikimi, jashtë Korçës”, ka deklaruar për mediet Benila Themeli, nënkryetare e Bashkisë Korçë.

Lumina Electronic synon të kthehet në një nga eventet më të rëndësishme të kalendarit veror për Korçën e më gjerë.

Atmosfera është ndezur veçanërisht nga i mirënjohuri DJ Burak Yeter, i cili u shpreh se i pëlqeu fryma e festivalit, por edhe vendi ku u zhvillua.

“Vendndodhja e këtij koncerti është e bukur dhe jam shumë i emocionuar të rikthehem këtu. Kam ardhur shumë herë në Korçë pasi kam edhe shume miq që jetojnë këtu. Shumë i emocionuar të performoj këtu. Patjetër që do të kthehem përsëri. Atmosfera është e mrekullueshme”, u shpreh Dj, Burak Yeter.

“Më pëlqen shumë që ka evente të tilla dhe mbi të gjitha që po rritet dëshira për muzikën elektronike. Është një risi pasi edhe njerëzit eksplorojnë rryma të ndryshme muzikore. Korça di të bëje dhe serenatat dhe muzikën elektronike”, u shpreh një tjetër Dj.

Edicioni i parë i Festivalit të Muzikës Elektronike LUMINA, duke kombinuar muzikën me artin pamor krijoi një përvojë të paharrueshme në qytetin e serenatave.

Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo e konsideroi një nga festat më të bukura verore në Korçë.

“Bashkia i shton një tjetër festë verore Korçës. Me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si pjesë e projektit Tourism for Albania mbyllet me super sukses edicioni i parë i LUMINA Electronic, që do të organizohet çdo vit në Korçë, si një nga festat muzikore më të rëndësishme të kalendarit veror, me synimin për të tërhequr vizitorë dhe adhurues të kësaj muzike nga brenda dhe jashtë Shqipërisë”, theksoi Filo./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme