14 Korrik, 2019 - 1:59 pm
Vjollca Robelli
AJO është këngëtare dhe tekstshkruese që jeton e vepron në Londër. Rrënjët e saj, Kosova, janë të lidhura shumë me muzikën dhe performancat e saj. Ajo inspirohet nga trashëgimia e saj shqiptare, duke vënë në pah emocionet dhe elementet e muzikës tradicionale në një ambient të jazz-it.
Me një grup, me muzikantë të njohur nga Evropa, AJO i ka dhënë formë punës së saj 17-vjeçare përmes këngës së EP-së “Besa”, publikuar në qershor 2019. Këngët e saj tregojnë histori të vërteta për nderin, tradhtinë, gëzimin dhe dhembjen, mungesën dhe kthimin në shtëpi, dhe për konceptin unik që ka besa për shqiptarët.
Për albumin e saj, AJO ka bashkëpunuar me profesionistë të muzikës, duke përfshirë: Aram Zarikian, Danny Rico, William Collier, Emma Watson, Alessio Marsio dhe Xhemil Gjini. Andrew Philips, kompozitori i nominuar për “Emmy” dhe “Oscar”, ka punuar në këngën e tetë të albumit, ndërsa hapat finalë të postproduksionit janë bërë nga Max Gilkes nga studioja e incizimeve “1 Sonic Production”, e nominuar po ashtu për “Grammy” dhe “Mercury”.
Në vitin 2002 AJO fitoi famë për herë të parë në Kosovë dhe Shqipëri, kur lansoi një këngë që u bë hit nën emrin e saj të vërtetë, Vjollca Robelli.
Kënga – po ashtu e titulluar “AJO”- kishte për qëllim që të rriste vetëdijen ndaj pandemisë së AIDS-it dhe gjeti shumë përkrahje. Ishte në mesin e hiteve në shumë televizione, por edhe në radio-stacione, po ashtu u rendit e dyta në renditjen regjionale të “BBC TOP of the Pops”, fitoi çmimin si videoja më e mirë rock në “VideoFest”, dhe Vjollca ishte nominuar ambasadore e muzikës për të rinj në të njëjtin vit. Edhe pas 17 vjetëve kënga është akoma e njohur, çfarë ka bërë që Vjollca ta marrë titullin e saj si emër skenik e që nënkupton “Ajo”.
Vjollca ishte zhvendosur në Londër në vitin 2004 për të studiuar për vokal, muzikë dhe menaxhim të mediave, ku jeton së bashku me burrin e saj, Urimin, dhe katër fëmijët e tyre. / Koha.net