28 Shkurt, 2025 - 6:43 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmjen e djeshme, Atelieja e Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbush me tingujt magjepsës të kryeveprave të muzikës klasike evropiane në koncertin e Filharmonisë së Kosovës. Nën drejtimin e dirigjentit, Antoine Marguier, programi ofroi një udhëtim artistik përmes muzikës së kompozitorëve kosovarë, italianë dhe spanjollë, një përzgjedhje kjo që pavarësisht vështirësive teknike, krijoi për audiencën një atmosferë të paharrueshme, shkruan KultPlus.
Koncerti nisi me ‘Simfoninë nr. 1’ të kompozitorit të kosovar Rexho Mulliqi. Kjo vepër madhështore, e mbushur me motive të pasura folklorike dhe emocion të thellë, tingujt të fuqishëm dhe dinamika dramatike, ofroi që në hapje një emocion të veçantë.
Më pas, në skenë u ngjit saksofonisti famë botërore, Vitaly Vatulya i cili u paraqit me veprën ‘AlBalcanica’ një krijim i kompozitorit kosovar Valton Beqiri. Me mjeshtërinë e tij, bashkëpunimin dhe orkestën dhe dirigjentin, Vatulya arriti të sjellë në jetë meloditë plot emocione dhe ritmet dinamike të kësaj vepre.
Ndërkaq, mbrëmja arriti kulmin me paraqitjen mbresëlënëse të sopranos, Besa Llugiqi. Llugiqi solli madhështinë e operës italiane në skenë me interpretimet e saj të fuqishme të arieve ‘Un bel dì vedremo’ nga ‘Madama Butterfly’ e Puccinit dhe ‘È strano… Sempre libera’ nga ‘La Traviata’ e Verdit. Me emocionin dhe virtuozitetin e saj, Llugiqi pasqyroi dramën dhe pasionin e këtyre veprave të pavdekshme operistike.
Pas emocioneve të pjesës së parë, koncerti vazhdoi me ‘Simfoninë nr. 2’ të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, një vepër që pasqyron frymën bashkëkohore dhe energjinë e muzikës moderne kosovare. Ndërkaq, mbrëmja u përmbyll me ‘The Three-Cornered Hat, Suita nr. 2’ nga kompozitori spanjoll Manuel de Falla, një vepër e gjallë dhe plot ngjyra që solli në skenë atmosferën vibrante të folklorit spanjoll.
Ky koncert i Filharmonisë së Kosovës, dëshmoi edhe një herë potencialin e këtij institucioni që pavarësisht kushteve dhe sallës jo adekuate, arritën të prezantojnë një program të përmasave botërore, e për këtë ata morën një mori duartrokitjesh nga publiku.
Pas koncerti, për KultPlus foli dirigjenti Antoine Marguier, i cili mbi të gjitha vlerësoi lart krijimtarinë e kompozitorëve kosovarë, e sidomos të veprave që u performuan në këtë mbrëmje.
“Për mua është gjithmonë interesante që të zbuloj muzikë të re sepse kjo është diçka e re për mua, pra muzika nga Kosova, dhe mendoj që është shumë e bukur, shumë muzikë energjike dhe bashkëkohore. Ishte një program i vështirë për shkak të shumëllojshmërisë, kishim muzikë italiane, spanjolle, kosovare. Pra kishte shumë gjëra të vështira, shumë karaktere të ndryshme dhe kishte nevojë për një koncentrim shumë të madh si për mua ashtu edhe për orkestrën”, u shpreh Marguier.
Ndërkaq, pas paraqitjes së saj në dy prej karaktereve më të vështira të muzikës klasike, sopranoja Besa Llugiqi shprehet e lumtur për këtë performancë dhe për bashkëpunimin e saj me Filharmoninë e Kosovës.
“Të performoj me Filharmoninë e Kosovës është gjithmonë kënaqësi për mua. Për veprat që i kemi përzgjedhur, mund të them se janë jashtëzakonisht të vështira teknikisht, e sidomos në një koncert ku të dyja është goxha sfidë për ta përballuar, sepse janë natyra të ndryshme, karaktere të ndryshme dhe vështirësi të ndryshme teknike. Njëra është më dramatike, tjetra ka më shumë nota të larta por që mendoj që tek publiku shkuan shumë mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, theksoi Llugiqi duke shtuar më tutje se shpreson që edhe në koncertin e radhës me Filharmoninë e Kosovës në Bern të Zvicrës, do të prezantohen po ashtu denjësisht.
Po ashtu, për KultPlus foli edhe saksofonisti, Vitaly Vatulya, i cili shprehet i kënaqur që pati mundësinë që të prezantohet përpara audiencës së Kosovës me një vepër të një kompozitori vendas.
“Mendoj që shkoi shumë suksesshëm dhe është një nder dhe kënaqësi e madhe për mua që të luaj për këtë audiencë entuziaste dhe sidomos një pjesë nga kompozitor vendas, i cili shkroi këtë pjesë për saksofon duke përdor ritme dhe motive tradicionale ballkanike dhe mendoj që është një investim i madh për të ardhmen e muzikës në Kosovë”, tha Vatulya për KultPlus.
Ndërkaq, ju kujtojmë se ky ishte koncerti përmbyllës i Filharmonisë së Kosovës për muajin shkurt, kurse koncerti i radhës do të mbahet në Bern të Zvicrës, më 12 mars, 2025./KultPlus.com