10 Shkurt, 2019 - 10:25 am
Mahmood, 27 vjeç është edhe fituesi i këtij edicioni të 69-të Festivalit të Këngës Italiane Sanremo.
Ai erdhi në këtë festival si fitues i Sanremo Giovani. I lindur në Milano Mahmood është me nënë italiane dhe baba egjiptian. Në këtë festival kishte marrë pjesë tek prurjet e reja në vitin 2016 dhe në vitin 2012 kishte provuar X Factor. Ai ka shkruar këngë për Marco Mengoni, Michele Bravi dhe Elodie.
Mes fërshëllimash është pritur mbrëmjen e kaluar njoftimi i podiumit të tre të parëve në Festivalin e Sanremos. Në plate dhe në sallën e medias të pranishmit reaguan sapo mësuan se Loredana Berte mbeti jashtë treshes: Il Volo, Ultimo dhe Mahmood u renditen tre të parët.
Çmimi “Sergio Endrigo” për interpretimin më të mirë në këtë festival shkoi për Simone Cristicchi, me këngën “Abbi cura di me”. Ai mori edhe çmimin “Giancarlo Bigazzi” për kompozimin më të mirë dhënë nga Orkestra e Festivalit.
Në këtë festival Simone paraqitej pas 12 vjetësh dhe në natën e dueteve ai këndoi i 22-ti në garë bashkë me Ermal Metën këngën pjesëmarrëse. Ermali rikthehej në skenë si fituesi në fuqi i Festivalit të Këngës Italiane pasi ishte ai dhe Fabrizio Moro qe e fituan këtë festival vitin e kaluar. Ai është aktualisht duke vijuar me turneun e tij dhe pritet të jetë në Tiranë sërish në fillim të muajit mars për një koncert bashkë me kuartetin e instrumentistëve me të cilin po bashkëpunon. Daniele Silvestri për këngën “Argentovivo” fitoi çmimin “”Sergio Bardotti” për tekstin më të mirë dhënë nga juria e ekspertëve. Ai mori edhe çmimin e Kritikës “Mia Martini”.
Ultimo me këngën “I tuoi particolari” fitoi çmimin TIMMUSIC. Kjo ishte dhe kënga më shumë e dëgjuar në platformat dixhitale. “Jam një djalë 100% Italian. Kjo që unë këndoj është edhe një kujtim nga fëmijëria ime. Jam fans i muzikës modern, dëgjoj gjëra të përziera, që nga të vetëkëndimi deri tek indie e kam lënë vetën të ndikohem. Kjo që unë bej është Marocco-pop”, ka thënë më parë fituesi.
Ndërsa mbrëmjen e kaluar pasi ende nuk i besohej kjo tore dhe prezantuesja Raaele i thotë: “Po, është e gjitha e vërtetë”, ai ka falënderuar të gjithë mbështetësit dhe ka reinterpretuar këngën “Soldi”. /KultPlus.com