Mark Kaçinari, kompozitori që krijoi korin më të njohur të Kosovës në kohën kur Prishtina nuk kishte Akademi të Muzikës

20 Janar, 2025 - 9:00 am

Me rastin e 90 vjetorit të lindjes, KultPlus përkujton Mark Kaçinarin, emrin e shquar të muzikës shqiptare.

Mark Kaçinari (Prizren, 1935 – Prishtinë, 1985) ishte kompozitor, pedagog, dirigjent, hartues i teksteve shkollore. Ai muzikën korale shqipe e vuri në skenë edhe kur mungonte në Prishtinë. Ai krijoi korin më të njohur të Kosovës Collegium Cantorum, një çerdhe e cila tuboi talentet më të zgjedhur të muzikës të viteve 1970-’80. Asokohe, Prishtina nuk kishte Akademi të Muzikës, mirëpo, Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Mark Kaçinari, ishin vetë Akademia e Muzikës.

U lind më 20 Janar të vitit 1935 në Prizren dhe vdiq më 19 Nëntor të vitit 1985 në Prishtinë. Ai i përket brezit të parë të studentëve shqiptarë nga Kosova, të cilët kanë kryer Akademinë e Muzikes. Studimet e para për muzikë i kreu në qytetin e tij të lindjes në shkollën e Mesme të Muzikës në vitin 1949 – 1953. Pasi punon një vit (1953 – 1954) si mësues në gjimnazin e ulët të Gjilanit, në vitin 1954 fillon studimet e larta pranë Akademisë së Muzikës në Beograd në degën e Teorisë dhe Pedagogjisë Muzikore, të cilat i përfundon në vitin 1961. Gjatë viteve 1956 -1961 ishte anëtar i rregullt i korit profesionist të Radio Beogradit. Në vitet 1973 – 1975 studioi kompozim pranë Fakultetit të Muzikës në Shkup në klasën e T.Proshev, ndërsa studimet postuniversitare (Shkallën e III) për dirigjim i ndoqi gjatë viteve 1977 – 1979 në klasën e prof. V. Ilic në Beograd.

Pas studimeve në Beograd (1961), kthehet në Kosovë, ku në fillim punon si profesor pranë shkollës së Mesme të Muzikës në Prizren. Krahas punës pedagogjike angazhohet dhe si dirigjent i korit SHKA “Agimi”, me të cilin pati një aktivitet shumë të sukseseshëm. Kaçinari është një ndër pedagogët e parë të Shkollës së Lartë Pedagogjike në Prishtinë, që dha mësim në degën e edukatës muzikore. Me themelimin e degës së muzikës, në vitin 1975, pranë Akademisë së Arteve në Prishtinë, Kaçinari kalon pranë këtij institucioni ku jep lëndën e Solfezhit. Kaçinari u emërua si Dekan i Akademisë së Arteve të Prishtinës ku shërbeu prej vitit 1984 deri në vitin 1985 kur vdiq.

Si dirigjent, Kaçinari ka zhvilluar një aktivitet të shquar. Që në vitin 1969, kur themeloi korin “Collegium Cantorum” e deri në ditët e fundit të jetës së tij, ai realizoi një numër të madh koncertesh, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të tjera të botës. Kori i drejtuar prej Mark Kaçinarit ia shtoi famën jo vetëm zhvillimeve muzikore shqiptare në Kosovë, por përmes aktivitetit të larmishëm e të vazhdueshëm i rriti dhe famën vetë Kosovës. Përfaqësimi i Kosovës me këtë kor në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare muzikore është vlerësuar me çmime të lakmueshme.

Në vitin 1972 fiton me “Collegium Cantorum” çmimin e III në Festivalin Botëror të koreve në Langolen të Anglisë. Në të njëjtin festival, pjesa “Vjeshta” e kompozitorit Rexho Mulliqi vlerësohet me çmimin e parë si “Kënga më e mirë”. Ky kor u bë gjithashtu një nxitje e vërtetë për kompozitorët e tjerë, si dhe një mbështetje serioze në realizimin e shumë veprave të mëdha të muzikës shqiptare të Kosovës. Përpos veprave të mëdha të kompozitorëve botëror, si “Requiem” e W. A. Mozart, fragmente nga opera “Trubadur” e G.Verdit, etj., në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike te RTP, kori “Collegium Cantorum” ka ekzekutuar edhe veprat e autorëve shqiptare dhe kroatë. Kori “Collegium Cantorum” në drejtimin e Kaçinarit, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, arriti të hedhë baza të shëndosha të një tradite të sukseseshme të kulturës së këndimit vokalo-koral në Kosovë. Kaçinari ishte njohës i shkëlqyer i teknikës së të kënduarit koral dhe krijoi një standard të tingëllimit dhe interpretimit të korit të tij të një niveli shumë të lartë dhe ndërkombëtar.

Edhe si kompozitor, aktiviteti i Kaçinarit është i lidhur ngushtë me aktivitetin e tij si dirigjent. Që në vitin 1962, kur përpunoi të parën këngë popullore “Zogu i Ohrit”, ai do të shkruajë një numër të konsiderueshëm veprash korale, gjuha e të cilave shpesh është mjaft e përparuar, megjithëse krijimtaria e tij shtrihet edhe në gjinitë e muzikës instrumentale dhe asaj simfonike.

Për punën e palodhur pedagogjike, organizative, udhëheqëse dhe krijuese, Kaçinari është shpërblyer me shumë diploma dhe mirënjohje. Së fundi, në vitin 2015, Kaçinari dekorohet nga Presidentja e Republikës së Kosovës znj.Jahjaga me “Medalje Presidenciale të Meritave”, për kontributin e tij të veçantë në fushën e arsimit dhe kulturës./ KultPlus.com

Të ngjajshme