Mbahet edicioni i katërt i festivalit Ndërkombëtar i Koreve të Grave në Prishtinë

23 Mars, 2025 - 5:30 pm

Shkruan: Iliriana Pylla

Edicioni i katërt i festivalit Ndërkombëtar të Koreve të Grave u hap me poezinë “Grua” e shkruar dhe interpretuar nga aktorja e njohur, Safete Rogova.

Pjesëmarrës në festival ishin kori nga qyteti i Ferizajt, nën udhëheqjen e Lindita Isufit, kori “Canta Peja”, nën udhëheqjen e Melisa Xheladinit dhe kori “Lira”, nën udhëheqjen e Valire Buzës. Ndërsa kori St. Zlata Meglenska, me dirigjente Letka Dimovska, ka anuluar pjesëmarrjen për shkak të tragjedisë në Maqedoninë e Veriut, pasi vendi është në ditë zije për një javë.

Në sallën e mbushur plot me mysafirë, adhurues të muzikës korale, u prezantuan koret e grave me këngë të përpunuara popullore, të kompozitorëve shqiptarë të të gjitha trojeve.

Interpretimet zgjuan interes te publiku pasi disa këngë u kënduan për herë të parë si përpunime për këndim akapela në kor. Sipas njohësve të muzikës së përpunuar që ishin prezent në sallë, niveli këndimit është përmirësuar dukshëm dhe se zërat e artisteve përcollën emocione për artdashësit duke e përmbyllur festivalin me një urim special për organizatoren Valire Buza “I lumtë, pasi që falë angazhimit të saj u arrit të mbahet ky festival”. Për shkak të pandemisë për tri vite nuk është mbajtur dhe sivjet megjithatë, u arrit të organizohet me gjithë kapacitetet.

Materiali sivjet ka qenë shumë i vështirë dhe sfidues, shumica e anëtareve të koreve nuk dinë ti lexojnë notat, por falë punës së drejtueseve të koreve, ia dolën për mrekulli. Anëtaret e koreve ishin të moshave e profesioneve të ndryshme e të gjitha bashkë i mblodhi festivali dhe dashuria për artin e bukur të muzikës.

Përgëzime për interpretimet pranuan nga kompozitorja, Pranvera Badivuku e cila u shpreh e kënaqur për aq sa dëgjoi në këtë festival. Ajo ka thënë se është mirë që tashmë po vihen në skenë materiale nga tradita jonë duke zbuluar kështu “margaritarë” nga shtresat më të thella të muzikës që këndohet edhe sot në popull.

Nga ana tjetër organizatorja e këtij festivali, Valire Buza është shprehur e kënaqur me prezencën e koreve, pavarësisht se kori nga Maqedonia e Veriut në momentet e fundit e anuloi pjesëmarrjen. Ajo ka falënderuar publikun e shumtë në numër dhe Komunën e Prishtinës për mbështetjen solide. Njëkohësisht shpreson që vitet në vijim do të ketë përkrahje më të madhe nga institucionet shtetërore.

Organizatorja ka ndarë mirënjohje për grupet pjesëmarrëse dhe disa nga solistet më të vjetra./ KultPlus.com

Të ngjajshme