Mbahet “Koncerti për Paqe” në Romë, sopranoja Marigona Qerkezi interpreton vepra të kompozitorëve shqiptar

16 Mars, 2022 - 7:19 pm

Mbrëmë, në Sallën Promoteca të muzeve Capitolinë në Romë, Ambasada e Republikës së Kosovës organizoi “Koncertin për Paqe” me sopranon shqiptare Marigona Qerkezi.

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, në fjalën e mirëseardhjes në këtë aktivitet festiv, përmes të cilit u shënua njëherësh 14 vjetori i pavarësisë dhe stabilizimi i marrëdhënieve diplomatike me Republikën italiane, theksoi që data e 17 shkurtit, për kosovarët nuk përkon vetëm me lindjen e Republikës sonë të pavarur. Është edhe një moment reflektimi për të nderuar vullnetin dhe vendosmërinë e një rrugëtimi të gjatë që pas dekadash rezistence paqësore, sfidave të panumërta, luftës tragjike me plot sakrifica, u konkretizua me shpalljen e demokracisë më të re në Evropë. Një demokraci e rrënjosur thellë në shoqërinë tonë, e cila vërtetohet nga rezistenca historike e popullit tonë për lirinë dhe pavarësinë e shumëdëshiruar.

Në vijim, Ambasadorja Haxhitasim përkujtoi që në fund të viteve ‘90, Kosova pati fatin të dëshmonte solidaritetin ndërkombëtar, angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të aleatëve si Italia, duke falënderuar të gjithë ata që besuan në Kosovën tonë dhe që vazhdojnë të bëjnë atë teksa hapim kapituj të rinj përparimi dhe prosperiteti për vendin dhe popullin tonë.

Për këto arsye, shtoi Ambasadorja, sot, më shumë se kurrë, jemi shumë pranë popullit ukrainas, ndaj të cilit shprehim solidaritetin tonë të plotë, human dhe institucional, duke uruar paqen për Ukrainën edhe përmes këtij gjesti modest të këtij koncerti. Sepse 23 vjet më parë, ishin popujt e tjerë që organizuan koncerte për ne dhe sot Kosova është linjëzuar me komunitetin ndërkombëtar në dënimin e luftës dhe në ndihmën e atyre të cilët tani kanë nevojë për zë, mbështetje dhe dyer të hapura.

Ambasadorja Haxhitasim shtjelloi gjithashtu rrugëtimin 14 vjeçar të marrëdhënieve diplomatike me Italinë, duke pasqyruar dhe vlerësuar gamën e gjerë të bashkëpunimeve të shkëlqyera me dy vendeve tona, te cilat shtrihen që nga politikat e sigurisë deri tek ekonomia, kultura dhe shkëmbimet akademike e universitare.

Mbrëmë, në kryeqytetin e Italisë, Ambasada e Republikës së Kosovës përcolli një mesazh shumë domethënës për paqe, duke kombinuar më së miri zërin e bukur dhe të fuqishëm të sopranos Marigona Qerkezi dhe notave muzikore të pianistit Gabriele Rubeo, ku u interpretuan me shumë ndjenjë dhe emocion edhe vepra e kompozitorëve shqiptar. / KultPlus.com

Të ngjajshme