29 Korrik, 2023 - 2:00 pm
MIK Festival, festivali i muzikës internacionale në Korçë në mbrëmjen e parë të tij ka ardhur me një format ndryshe në skenën e teatrit të Korçës.
Nën titullin “Muza e Parë” dhe tingujt e pianos nga Ingrid Pulizo kjo mbrëmje i është dedikuar artistes së njohur Jorgjia Truja, e cila lindi në vitin 1909 në qytetin e Korçës.
Për organizatoren Inva Mula ky edicion i 6 i Mik Festival është konceptuar ndryshe por ajo që mbetet thelbësore është mundësia që i ofrohet publikut për të qenë pranë muzikës klasike dhe për ta shijuar atë përtej skenave të mëdha.
“Ky festival filloi duke i bërë homazh një nga figurave që ka dhënë shumë kontribut për artin në Shqipëri. Ka kaq shumë artistë të lindur në Korçë ndaj jam shumë e lumtur që vetëm në Korçë nuk do të na ndalin edicionet për të renditur figurat e artit”- tha Inva Mula.
Për sopranon e njohur Ramona Tullumani sfida e këtij festivali qëndron pikërisht tek ndërthurja e interpretimit të kryeveprave botërore me përcjelljen e informacionit për publikun dhe rrëfimet për artistët karrierën e jetën e tyre.
“Mendoj që sfiduese ishte gjithë kjo ide që u realizua ky koncert. Mendoj se është hera e parë që në Shqipëri bëhet një kooncert i fillë ku flitet e jepen leksione në të njëjëtn kohë”– tha Ramona Tullumani
Nata e parë e Mik Festival ka vazhduar më tej me muzikën greke duke u zhvendosur në Pazarin e Vjetër të Korçës me këngëtaren Kaliopi Veta dhe kompozitorin Janis Ianou ndërsa emra të tjerë të njohur do të jenë pjesë e netëve të këtij festivali edhe në netët në vijim./ Top Channel/ KultPlus.com