10 Nëntor, 2022 - 11:26 am
Uranik Emini
Kurora që nga kohërat e lashta është konsideruar si një “mjet” prej së cilës njerëzit kanë fituar fuqi dhe rrjedhimisht me të kanë sunduar vendin. Në historinë e njerëzimit ekzistojnë sundimtarë të cilët kanë qenë të kufizuar në aftësinë e tyre për të bërë dëm serioz. “Makthi Ballkanik” shpërfaq në thelb një mbret të zi i cili si i tillë zotëron ujin e pijshëm, si një prej elementeve më të rëndësishme të tokës dhe gjithashtu pa të cilin njerëzit nuk mund të jetojnë. Në një botë që realisht nuk ekziston, mbreti i zi (i luajtur nga Luan Durmishi, ku rikthehet në mikrofon me një përzierje të jashtëzakonshme të muzikës pop dhe rock) në fund mposhtet dhe kjo arrihet nga udhëtari Apollon Arifi dhe udhëtarja, Kanina Arifi, e cila përmes dashurisë dhe këmbëngulësisë për të mos u nënshtruar ndaj mbretit, kurorëzohet mbretëreshë, por sigurisht që sikurse çdo herë tjetër, kjo nuk është e gjitha, shkruan KultPlus.
“Mbreti i Zi” shpërfaqet i veshur nën ziftin e kostumit mondan që vërvitet, rënkon, shpërtrupërohet e dekodohet, brenda madhështisë së tij, e kundrejt të bëmave të veta”.
Ky projekt vjen pas 3 vitesh punë intensive, duke e bërë një shtrirje në kohë, nisur nga viti 1132 (referuar muzikës bizantine shqiptare), e deri tek variacionet e shtresimet kohore e kulturore që muzika moderne e sotme i bartë me vete. Me një mbështetje tejet profesionale vizuale, projekti në fjalë përçon angazhimin social e kulturor kolektiv, i cili edhe mbetet si qëllim në vete i vet projektit Makth.
Mbrëmë, Kino Armata ishte e mbushur plotë nga fillimi deri në fund dhe Luan Durmishi, si ideator i konceptit njoftoi se ky projekt është shumë i përzemërt për të, pikërisht për faktin që është rikthyer përsëri te mikrofoni, tek ëndrra e tij që kur ishte një fëmijë 5 vjeç.
Historia personale e ndërthurur më ëndrrat e fëmijërisë për të sjellë një projekt madhështor
“Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj. Para se të flasim për këtë projekt, do të doja të ndaja me të gjithë ju një histori timen personale për herë të parë publikisht. Kur i kam pasur 5 vjet kam pasur një pasion të madh që më është ndalur në gjysmë nga situatat e kohës, e që është pikërisht mikrofoni”, thotë Durmishi.
Pasioni si fitimtar ndaj çdo sfide
Vështirësitë, si pjesë e pandashme e njerëzve të cilët synojnë të arrijnë projekte të mëdha, kalohen përmes përkushtimit dhe pasionit, i cili nuk na lë të dorëzohemi asnjëherë, i tillë ishte edhe në këtë rast.
“Gjatë studimeve të mia unë jam rritur me muzikën pop e rock, me bashkëpunimet e shumta me njerëz të ndryshëm, ky pasion nuk më ka lënë asnjëherë rehat. Dhe i gjithë ky rrugëtim, pra, pas 30 viteve kur edhe po i rikthehem mikrofonit tim të fëmijërisë, ende vazhdoj të besoj se pasioni është gjithçka. Ky projekt do të mbetet më i rëndësishmi në jetën time. Realizimi nuk ka qenë aspak i lehtë, prandaj nuk do ta harroj kurrë”, shpjegon ai.
Tregimi i një historie nuk arrihet vetëm duke regjistruar një veprim, një foto apo diçka të ngjashme, ka disa hapa më shumë që duhet ndjekur, përfshirë ndriçimin, inkuadrimin, kompozimin, lëvizjet e kamerës, këndet e kamerës, përzgjedhjen e filmit, zgjedhjen e lenteve, thellësinë e fushës, zmadhimin, gjetjen e lokacioneve, fokusin, ngjyrat, ekspozimin, që të gjitha konsiderohen si pjesë të kinematografisë.
I ndarë i kënaqur nga ky projekt ishte edhe Samir Karahoda, që pati një rol kyç në “Makthin Ballkanik”, sa i përket pjesës së kinematografisë.
“Herën e parë kur kemi biseduar me Luanin ka qenë ndoshta para 3 vitesh. E mbaj mend sepse kam qenë duke xhiruar filmin “Pa Vend”, në atë kohë. Ai më njoftoi se ka një projekt të zemrës që po e bën, e edhe pse nuk i kam pasur mundësitë që të kyçem shumë në këtë projekt, më ka pëlqyer shumë dhe kam parë që mund t’i ndihmojë atyre”, thotë Karhoda për KultPlus.
“Sigurisht për këto tre vite ka ndryshuar edhe koncepti, por mendoj që kemi arritur që të tregojmë bashkëpunimin tonë që kemi bërë mes vete. Ka qenë një bashkëpunim i mirë sikurse me Ilirin por edhe me Luanin. Iliri e ka bërë një koncept të ri që nga fillimi, por sigurisht me ndihmën e Luanit. Mendoj që është bërë një projekt shumë i mirë dhe mundem me tregu me krenari që e kam bërë dhe kam qenë pjesë e tij. Ndihem krenar që jam pjesë e tij”, pohon regjisori.
Ndërkaq, Ilir Hasanaj, si njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt me Luanin, thotë për KultPlus se realizimi ka qenë i vështirë, pasi kanë hasur në disa sfida, por në fund u realizua.
“Realizimi ndoshta ka qenë pak i vështirë, sidomos kur flasim për diçka që është e shpikur dhe jo si diçka që thjesht ekziston dhe mund të shkojmë me kamerë e ta incizojmë. Normalisht kjo ka qenë e vështirë, por ne kemi qenë të limituar edhe për shkak të kohës. Na është dashur që të kemi diell, pra mot me diell. Kur ke një ekip me shumë persona, ekzistojnë momente ku shtyhet xhirimi, por edhe raste kur jemi përgatitur të gjithë, por për shkak të motit, e kemi pasur të pamundur të realizojmë, pasi ishte në kundërshtim me konceptin. Ideja është që këta fëmijët të jenë në një botë ku nuk ka ujë të pijshëm dhe këta duhet ta kërkojnë”, thotë Hasanaj.
Skenaristi shpjegon gjithashtu se Luani fillimisht e kishte këngën dhe disa kostume e lëvizje që duhej t’i përfshinin, por që me kohë edhe mund të kenë ndryshuar.
“Konceptin e kemi bërë bashkë me Luanin. Ai e ka pasur këngën dhe idenë, gjithashtu edhe disa kostume e gjëra epike, përfshirë edhe disa lëvizje specifike. Për mua ka qenë krijimi i një bote, e unë dëshiroja që të ishte edhe një botë paralele, d.m.th. është si një botë reale që është në të ardhmen apo të tashmen që nuk dihet, dhe si një botë që simbolizon ëndrrat që lidhen mes veti. Kjo më është dukur me rëndësi nga fillimi dhe sigurisht e kam shkruar skenarin në këtë formë. Disa gjëra më është dashur t’i ndryshoj, për arsye se nuk kishim fonde dhe i kishim mundësitë e limituara. Luani e ka bërë këtë gjë pothuajse vetë, e pastaj arrinim të një ide tjetër, të cilën duhej ta ndërronim”, shton mes tjerash Hasanaj.
Ai gjithashtu në fund thotë se ky projekt ishte shumë i dashur edhe për të, duke qenë se i ka shtuar shumë vetëbesimin.
“E kam pasur edhe unë shumë për zemër dhe më ka pëlqyer shumë ideja të punoj me Luanin. Mund të them që më ka dhënë një vetëbesim. Ky projekt më ka ndihmuar shumë, pasi në disa skena Luani ka qenë para kamerës dhe krejt besimi ishte te unë dhe sigurisht këtë gjë e vlerësoj shumë. Mendoj që të realizosh një klip prej 8 minutash është si të realizosh një film të shkurtër, dhe po ndihem i përmbushur me këtë projekt.
Ky projekt, i cili mori shumë kohë për t’u realizuar, do të jetë shumë shpejt edhe në të gjitha platformat online. /KultPlus.com