3 Korrik, 2023 - 3:29 pm
Për 8 ditë me rradhë tingujt, ngjyrat, zërat, kostumet e traditës, pushtuan kalanë e gurtë duke e kthyer Gjirokastrën në kryeqendrën e folklorit. 1200 artistë nga mbarë trojet shqipfolëse dhe diaspora u bënë pjesë e edicionit të 11-të të Festivalit Folklorik Kombëtar, një edicion që do të mbahet mend gjatë.
Por Festivali folklorik nuk ishte vetëm prezantimi i grupeve të folklorit në skenën e kalasë. Përgjatë 8 ditëve, qyteti ka gëluar nga një seri aktivitetesh të larmishme kulturore që nisnin prej orëve të para të ditës dhe përmbylleshin deri pas mesnate me koncertet madhështore organizuar në “Sheshin e Çerçizit” ku interpretuan disa prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare. I gjithë ky event tërhoqi vëmendjen e shumë turistëve të huaj, ndërsa kërkesat për akomodim i tejkaluan kapacitetet e hoteleve dhe bujtinave të qytetit.
Përgjatë 8 ditëve Gjirokastra ka qenë në një festë që e ktheu qytetin dhe Shqipërinë kryefjalën e artikujve kulturorë të mediave më të rëndësishme botërore./ Ina/ KultPlus.com