17 Dhjetor, 2024 - 10:26 pm
Nën dirigjimin e mjeshtrit Dario Salvi, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të prezantojë një program ekskluziv, plot ekspresivitet dhe nostalgji në Gala Koncertin e Vitit të Ri 2025, shkruan KultPlus.
Në koncert do të prezantohen koreografitë e pavdekshme të mjeshtrit botëror Mikhail Fokine, të shoqëruara nga muzika e Tchaikovsky-it, Saint-Saëns-it, and Adam-it, përmes balerinit dhe koreografit ikonik italian Toni Candeloro dhe Martina Arduino, prima balerina e të famshmit “Teatro alla Scala” – Milano.
Mbrëmja do të sjellë gjithashtu virtuozitetin e dy instrumentistëve të jashtëzakonshëm: violinistes franceze Anna Göckel, fituese e çmimit prestigjioz “Révélations Classiques de l’ADAMI”, dhe të trumbetistit të parë të Filharmonisë së Sofjes, Peter Makedonski duke mos harruar edhe copëza nga repertori i familjes Strauss.
Gala Koncerti i Vitit të Ri 2025 do të mbahet më 21 dhjetor, ora 19:30, në Sallën AMC./ KultPlus.com