28 Korrik, 2024 - 6:20 pm
Flonja Haxhaj
Atmosfera e mahnitshme e Sunny Hill Festival vazhdoi edhe në natën e tretë ku publiku i shumtë në numër shijoi performancat magjike të artistëve shqiptarë e të huaj, shkruan KultPlus.
E shtuna kishte për destinacion Bërnicën për shumë nga ata që e duan dhe e çmojnë muzikën.
Kryefjala e kësaj mbrëmje ishte këngëtari britanik Stormzy, i cili u ngjit në skenë me flamurin e Kosovës në krahë. Ndonëse performoi i fundit, me të ngjitur në skenë ai dhuroi një energji të re në publikun që kishin zënë vend në Bërnicë.
Me këngët e tij, Stormzy ndezi atmosferën duke ngritur publikun në këmbë, të cilët pa u lodhur vallëzuan e kënduan në sinkron me këngëtarin deri në orët e para të mëngjesit.
Përveç Stormzyt, , në skenën e ‘Sunny Hill Festival’ u ngjitën edhe artistët si: Griff, Mc Kresha & Lyrical Son & Lluni, Ledri Vula, Geasy, Buta, Singullar Ants Live, Yanina, Bleta Përtace, Dj Set dhanë për publikun performanca të paharrueshme.
Pas performancës së Stormzyt, publiku pati mundësinë të shijojë muzikën e Dj-ve të njohur si Groove Armada, Tommy Goldh dhe Lekë.
Ndërkaq sonte, në natën e katërt të Sunny Hill, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancat nga Dj Snake, Edgar Kerri, Mygal, PM to the Dags, Dj Bannzz, Dj Geek, Dj Deezy, Dj Gaboo, The Blaze, Zogai dhe Lab Sadiku./KultPlus.com