8 Prill, 2022 - 4:45 pm
Era Berisha
Nata e tretë e edicionit të 21-të të festivalit ReMusica, solli para të pranishmëve një interpretim nga Kuarteti harkor, “Selini String Quartet”, ku së bashku me inkuadrimin e artistëve të ftuar si: sopranoja Zana Abazi-Ramadani dhe pianisti Edon Ramadani, u sollën vepra të kompozitorëve të huaj si dhe atyre shqiptar, me ç’rast mbrëmë mahnitshëm u gërshetuan dy fryma sa të ndryshme, aq edhe të mrekullueshme, shkruan KultPlus.
Tash e tri net, është Salla e Kuqe ai vendi i cili tashmë po pushtohet nga artistë të ndryshëm të cilët gjithmonë prekin skenën e njëjtë por të cilët sjellin vepra krejtësisht unike ku secila ngërthen një veçanti në vetvete. Shkronjat gjigande që shpërfaqin emrin e festivalit në prapaskenë kësaj here kishin ndërruar pozicionimin e tyre në një kënd ndryshe që i përshtatej akoma më shumë hapësirës, ndërkaq në anën tjetër, reflektorët e vendosur mbrapa skenës ishin kthyer përsëri në ngjyrë të kaltër, për t’i shtuar hijeshinë, veprave që pas pak do të performoheshin.
Hapjen e natës së tretë të festivalit ReMusica e nisi koordinatori Shaban Behramaj, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe tutje tregoi se është bërë një ndërrim i vogël në program.
“Mirë se keni ardhur në natën e tretë të festivalit ReMusica. Jemi shumë të lumtur që ju shohim sonte këtu dhe me të vërtetë na ka marrë malli që të jemi prezent në koncerte, për shkak se ishim dy vite të tmerrshme në formatin online që ishin jo aq të lehta për ne. Sonte prezantohet Kuarteti nga Austria, “Selini String Quartet”, të cilat kanë një program të mirë përzgjedhur edhe mezi po presim t’i dëgjojmë. Por, fillimisht po ju informoj për një ndërrim të vogël në program ku bëhet fjalë për vendosjen e veprës së tretë me radhë, e cila do të luhet krejt në fund të programit”, thotë Behramaj.
Po ashtu për një fjalë rasti në skenë doli dhe ambasadori austriak Christoph Weidinger, i cili thotë se është një kënaqësi që sonte do të interpretohet një program mjaft i larmishëm.
“Jam shumë i kënaqur që mund t’ju mirëpres këtu sonte në këtë koncert, i cili mbështetet nga Ambasada e Austrisë për programin “The Sound of Change”. Ky është një program i Ministrisë të Punëve të Jashtme të Austrisë i cili jep mundësinë muzicientëve të rinj që të performojnë edhe jashtë vendit, jashtë Austrisë. Andaj, jam shumë i kënaqur që sonte “Selini String Quartet” do të interpretojnë një program të larmishëm për ne. Siç shumica prej jush e dini, muzika kamertale e në veçanti kuartetet harkore kanë një traditë të gjatë në Austri dhe kjo traditë prek edhe kohën e shumë kompozitorëve si Mozart”, thotë Weidinger.
Sipas tij, është një gjë shumë e bukur që programi që do të luhet sonte, përmban një vepër nga Schubert dhe vepra të tjera nga kompozitorë bashkëkohorë nga Kosova dhe Austria.
Pas këtyre fjalimeve, me veshje në ngjyrë të zezë, në skenë doli Kuarteti harkor “Selini String Quartet”, që qysh në fillim po rrezatonte plot hijeshi dhe elegancë. Me hapa drejt skenës, ato u mirëpritën me një duartrokitje të zjarrtë. Ndërkaq, pas disa ndreqjeve të vogla të instrumenteve të tyre, fuqishëm erdhën meloditë e para të veprës “String Quartet op.20/5” nga kompozitori Joseph Haydn, vepër kjo që futi në funksion të gjithë trupin e këtyre instrumentisteve, duke lëvizur sa në një anë në tjetrën, për të goditur vazhdimisht notat e sakta që po pasonin me lehtësi.
Dy violina, një violë dhe një violonçel në ngjyrë kafe morën vëmendjen e kujdesshme të të pranishmëve, të cilët me një koncetrim të shtuar vëzhgonin lojën madhështore të kuarteti harkor. Nga vepra në vepër, lëvizjet e krahëve dhe të duarve të tyre futeshin në një cikël rrotullimi nga i cili nuk dolën për asnjë moment, me ç’rast secila nga instrumentistet tërë kohën po frymonte në një vijë me meloditë dhe tingujt pasues.
Përgjatë pothuajse dy orëve, kuarteti solli dhe veprat e njohura si: “seacoloured lightbellsounds” nga kompozitori Philipp Manuel Gutmann dhe “String Quartet no.13 ‘Rosamunde’” nga kompozitori Franz Schubert, për të lënë kështu një përshtypje se meloditë çelnin ngadalë nga instrumentet porsi lulet në pranverë, teksa ato pothuajse ishin të padëgjueshme në disa çaste por që kjo padyshim ishte dhe veçantia e tyre.
Në anën tjetër, ëmbëlsia tjetër e këtij koncerti padyshim që ishin veprat e njohura shqiptare si: “Vet’ ke mbetë” nga kompozitori Gjergj Kaçinari dhe e ripërpunuar nga Edon Ramadani dhe “Valsi i lumturisë” nga kompozitori Avni Mula, e po ashtu që erdhi e ripërpunuar nga Edon Ramadani. Këto dy vepra erdhën nën interpretimin e fuqishëm të sopranos Zana Abazi-Ramadani e cila së bashku me “Selini String Quartet” dhe pianistin Edon Ramadani, pushtuan skenën me frymën shqiptare të pakrahasueshme.
Publiku ishte ai i cili dukshëm dëgjonte me entuziazëm vokalin e pastër të sopranos teksa edhe buzëqeshjet nuk mungonin në fytyrën e tyre. Meloditë mallëngjyese dhe tejet melankolike u përjetuan nga secili i pranishëm, me ç’rast ishin ndjenjat unike ato që morën përsipër që të shfaqeshin edhe në formën fizike, atë të rrëqethjes në trupin e njeriut në një formë trajektoreje.
Kështu, krejt në fund ishte publiku ai i cili duartrokiti dhe brohoriti performancën e jashtëzakonshme të “Selini String Quaret”, sopranos Zana Abazi-Ramadani dhe pianistit Edon Ramadani, të cilët u rikthyen për të dytën herë në skenë për t’i dëgjuar nga afër ritmikën e krijuar nga të pranishmit.
“Selini String Quartett” për KultPlus tha se kjo është hera e parë që vijnë në Prishtinë dhe se veprat shqiptare janë me të vërtetë tejet të bukura.
“Është hera e parë që ndodhemi këtu në Prishtinë dhe në fakt e kemi shijuar shumë. Njerëzit janë kaq të mirë dhe moti është kaq i ngrohtë kur mbërritëm dje. Ne patëm një provë shumë të bukur dhe një masterklasë shumë të mirë këtë mëngjes me studentët, gjë për të cilën u befasuam shumë këndshëm. Sonte patëm kënaqësinë të performojmë për një publik të madh kështu që shpresojmë të kthehemi”, thotë “Selini String Quartett”.
Sipas tyre, pjesët shqiptare vërtetë ishin të mahnitshme dhe diçka e re për to, ku muzika u konsiderua më e lehtë dhe tejet e bukur.
Po ashtu, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve për koncertin, për KultPlus foli sopranoja Zana Abazi-Ramadani.
“Fillimisht jam shumë e privilegjuar që mu dha mundësia të performoj me këtë Kuartet fantastik dhe dua të them se nuk kemi bërë asnjë provë përpos sot që kemi bërë provën që ka zgjat vetëm pesë minuta, dhe ja suksesi po shihet edhe vetë dhe shpresoj që edhe publikut i ka pëlqyer”, thotë Abazi-Ramadani.
Sipas saj, programi ishte i veçuar për shkak të shkaqeve natyrore që duhet të përkrahen në mënyrë maksimale dhe në mënyrë që vetëdijesimi të jetë akoma më i pranishëm në popull.
“Besoj që do të ketë edhe më shumë koncerte të tilla sepse siç po shihet, publiku është shumë i interesuar për të dëgjuar. Ndërsa, në anën tjetër do të duhej të ishte edhe një sallë tjetër, që është tejet e domosdoshme, njëlloj sikur shtëpia operistike për solo këngëtarët. Besoj që në të ardhmen do të realizohet një sallë e tillë, ngase kjo sallë nuk i përmbush të gjitha kushtet e nevojshme për muzicientët”, përfundon Abazi-Ramdani.
Ndërsa, pianisti Edon Ramadani për KultPlus tha se ishte një kënaqësi që ai po bashkëpunon me një Kuartet të përmasave botërore.
“Ishte një kënaqësi që të kem bashkëpunim me një Kuartet të tillë prestigjioz dhe botëror sepse “Selini Quartet” ka një agjendë të ngjeshur dhe një turne të paracaktuar nëpër botë, kështu që është me të vërtetë një kënaqësi që ReMusica së bashku me Ambasadën Austriake na mblodhi për të interpretuar së bashku ku unë dhe pata dy përpunime të dy këngëve ikonike të dy këngëtareve tona siç është Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela”, thotë Ramadani.
Sipas tij, eleganca, muzikaliteti dhe saktësia e Kuarteti, janë tri veçoritë kryesore që u panë edhe në koncert.
Ndërkaq, kujtojmë se edicioni i 21-të i festivalit ReMusica, “The Sound of Change”, trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që përmbajtja e tij të orientohet në këtë temë, me fokus në katër elementet e natyrës – Toka, Uji, Ajri dhe Zjarri.
Festivali ReMusica do të zgjasë deri më 21 prill. Ndërsa, sonte duke filluar nga ora 20:00, vjen koncerti i radhës “Duo Ko-Art” me violinisten Abigeila Voshtina dhe pianisten Artemida Qarri-Haxhiaj.
Fotografia në ballinë: Rrahman Osmani / KultPlus.com