12 Maj, 2023 - 5:27 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmë në kuadër të festivalit ‘ReMusica’ u prezantuan veprat e kompozuara nga kompozitorët e rinj e premtues kosovarë. Si çdo edicion tjetër, edhe në edicionin e 22-të të këtij festivali nuk mungoi hapësira, inkurajimi dhe motivimi për kompozitorët dhe instrumentistët e rinj, e që u kurorëzua me koncertin e djeshëm në Kishën Katolike ‘Shën Ndou’ në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në mbrëmjen katërt të festivalit ‘Remusica’ publiku pati mundësinë të shijojnë tingujt e kompozimeve të kompozitorëve të rinj Fjolla Gashi, Dea Ahma, Leutrim Sahiti, Lum Halabaku, Ersan Januzi, Leart Sejdiaj.
E këto vepra u interpretuan në përfeksion nga dy ansamble të klarinetëve “4clariSonore” me anëtarët Ardit Ibrahimi, Blendi Axhillari, Fisnik Shkodra, Jon Rrecaj dhe “Lorenc Antoni” i përbërë nga Megi Rexhepi, Orges Thaçi, Eriona Shabani, Adis Kurtaj dhe ansamblin e flautave Yllka Simnica, Alba Basha, Elda Meka, Ujana Këpuska.
Pak para fillimit të koncertit, muzikanti Shaban Behramaj, i cili është edhe pjesë ‘Remusicas’ u shpreh i lumtur për këtë koncert të radhës së festivalit.
“Jemi shumë të lumtur që sonte po e shënojmë një sukses të radhës të këtij edicioni të ‘ReMusica’. Kjo është një prej mbrëmjeve më të veçanta për neve sepse si festival e dijmë që ndër vite i kemi kushtuar një rëndësi të madhe e në fakt gjeneza e këtij festivali është në motivimin dhe inspirimin e kompozitorëve të rinj”, u shpreh Behramaj, teksa i la më pas hapësirën instrumentistëve e me ç’rast u interpretuan gjashtë vepra premierë.
I pranishëm në këtë koncert kushtuar muzicientëve të rinj e premtues ishte edhe kompozitori Valton Beqiri, i cili pas koncertit vlerësoi lart veprat të cilat u interpretuan këtë natë.
“ Mund të them që jemi fatlumë që kemi një gjeneratë të tillë të kompozitorëve, jo vetëm kompozitorët por edhe instrumentistët meqë kanë pranuar ta marrin përsipër këtë program. Besoj që festivali si festival po e mban edhe më tutje frymën e stimulimit të krijimtarisë muzikore tek ne. Pavarësisht pse kësaj radhe ishin edhe instrumentistët vendorë , në të kaluarën kemi pasur ansamble të cilay na kanë vizituar nga bota dhe ata kanë interpretuar edhe veprat tona”, u shpreh Beqiri i cili më tutje i përgëzoi artistët dhe instrumentistët për këtë paraqitje.
Ndërsa Donika Rudi, drejtoreshë artistike e festivalit ‘ReMusica’ thotë se që në fillimin e tij ky festival i ka pasur gjithmonë në fokus artistët dhe kompozitorët e rinj.
“ ‘ReMusica’ që nga viti 2002 në fokus gjithmonë i ka pasur kompozitorët e rinj, për shkak se ata janë një pasuri e vendit, janë talentë të mëdhenj të skenës muzikore në vend dhe ata duhet të promovohen dhe këtë po mundohemi dhe po e bëjmë ndër vite në këtë festival. Që nga fillimi i këtij rrugëtimi të gjatë të ‘ReMusica’ kemi pasur rreth 500 vepra të autorëve tanë, kryesisht vepra të reja dhe vepra të porositura nga vetë festivali. Këtë vit kemi 10 premiera botërore nga kompozitorët tanë me ç’rast gjashtë prej tyre i dëgjuam sonte nga kompozitorët e rinj”, tha Rudi, duke shtuar se veprat e interpretuara mbrëmë ishin të një niveli të lartë dhe të interetuar jashtëzakonisht bukur nga instrumentistët e rinj.
Ndërkaq, Dea Ahma, e cila u prezantua në këtë festival me kompozimin e saj ‘Chant’, vlerëson hapësirën që ky festival u jep përherë kompozitorëve të rinj dhe jo vetëm.
“Remusica për vite me radhë ka pasur hapësirë sidomos për muzikën moderne dhe bashkëkohore që çdo ditë e më shumë është duke sjellë në skenë si insturmentistë ashtu edhe kompozitorë që i përkasin rrymave të tilla. Këtë vit ka qenë edhe një edicion i veçantë për ne për faktin se na është siguruar një hapësirë e veçantë. Nata e sotme ka qenë e kushtuar vetëm për ne kompozitorët e rinj dhe për punën tonë së bashku me prezantimin që u është bërë edhe instrumentistëve të rinj të cilët kanë marrë përsipër me i interpretu këto vepra”, deklaroi mes emocionesh Ahma.
Sonte ‘Remusica’ mban koncertin e radhës në Kishën ‘Shën Ndou’ në Prishtinë e ku do të performojnë grupi ‘Duo Aliada’./ KultPlus.com