Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, pianisti Istvan Lajko solli fryma të ndryshme të muzikës klasike

17 Prill, 2019 - 3:16 pm

Një vepër e mrekullueshme e kompozitorit Mozart, hapi mbrëmë koncertin e shtatë me radhë të festivalit Chopin Piano Fest. Ishte Istvan Lajko ai i cili e solli këtë vepër në mënyrë të mrekullueshme para publikut të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare, mbrëmjen e djeshme ishte e mbushur përplot me adhurues të muzikës. Pasi që ajo natë ishte më ndryshe, skena e ndriçuar me pianon në mes po mirëpriste pianistin hungarez Istvan Lajko. Dalja në skenë e pianistit u mirëprit jashtëzakonisht mirë nga publiku, por ende më mirë u mirëpriten interpretimet e tij që vinin secilën herë e më bukur.

Për dy orë sa ai luajti me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në piano, publiku u fascinua duke e dëshmuar këtë me duartrokitjet e gjata.

Vepra të ndryshme si sonata e pianos e W.A.Mozart, “Këngët hungareze nga fshati” të B.Bartok, “Sonetto 123 del petrarca”, rapsodi hungareze të F.Liszt, si dhe dy vepra të mëdha nga kompozimet e P.I.Tchaikovsky dhe M.Pletnev të titullar “The sleeping beauty-concert suit”, shkrin tingujt e tyre në duart e pianistit Lajko.

Gjithë këto vepra të njohura botërore, u mirëpriten nga publiku në Prishtinë edhe pse kjo ishte hera e dytë që ky pianist po interpretonte në kryeqytetin e Kosovës.

I privilegjuar që po performon për herë të dytë para këtij publiku, u shpreh edhe pianisti Lajko.

“Është privilegj të luaj këtu, kjo është hera e dytë që po interpretoj në kuadër të këtij festivali. Hera e parë në “Chopin Piano Fest” ka qenë para 5 viteve në një hotel në Prishtinë. Por, kjo sallë ku luajta sonte është shumë e mirë, sidomos akustika e cila interpreton një heshtje të gjatë si dhe holli i amfiteatrit është shumë i mrekullueshëm për publikun, dhe për artistët është privilegj të luaj këtu sepse ka një audienca shumë të ngrohë,” është shprehur Lajko për KultPlus.

Ndërsa sa i përket programit që ai solli mbrëmë, Lajko u shpreh që kësaj radhe ka qenë një koleksion me pjesë të ndryshme ku ka dashur të prezantoj fryma të ndryshme të muzikës klasike.

“Sonte solla vepra të ndryshme, si pjesë nga Mozarti dhe muzikë hungareze sepse kam qenë i ftuar në vitin sparkan hungarez, kështu që unë zgjodha një  pjesë të famshme të  muzikës hungareze nga Chaikovsy kështu duke u munduar të prezantoj pjesë të ndryshme për publikun. Chaikovsky e kam mësuar vitin e kaluar, kurse pjesën e Bartokut e kam luajtur shumë vite me parë, kurse sonata e Mozartit ka qenë në repertorin tim të rregullt”, tha tutje Lajko për KultPlus.

Në anën tjetër, nënkryetari i ambasadës së Hungarisë në Prishtinë, Bela Bozsik e konsideron të rëndësishëm bashkëpunimin në fushën e kulturës pasi që kjo ndikon që dy vendet të njohin më mirë njëri-tjetrin. Madje ai tregoi rëndësinë që e kanë këto shkëmbime kulturore duke marrë shembull një ekspozitë të hapur dy vite më parë në muzeun e Lidvingut  ku kishte artist nga Shqipëria dhe nga Kosova.

“Kemi vite që mbulojmë shpenzimet për të sjellë këtu një artist dhe unë jam këtu që në vitin e parë dhe tashme e di që kemi një bashkëpunim të mirë me këtë  festival dhe është shumë e rëndësishme që të participojmë në ketë festival pasi që e konsiderojmë një ndër projektet më të rëndësishme në Kosovë”, theksoi ai.

Ju kujtojmë që sonte me fillim nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të performoj pianisti Peter Donohoe, nga Britania e Madhe / Xheneta Uka/ KultPlus.com

Të ngjajshme