17 Maj, 2023 - 1:28 pm
Vjollca Duraku
Fotografitë: Rrahman Osmani
Me gjithsej 14 pika interpretuese dhe një performancë brilante, mbrëmë në ambientet e Kishës Katolike ‘Shën Ndou’, interpretoi kori më me zë në skenën e muzikës kosovare, Kori Siparantum, shkruan KultPlus.
Realizimi i këtij interpretimi, në ambientet e kishës, ishte një element i cili i dha ngjarjes një lloj madhështie, të cilën në plotni e kanë shijuar të gjithë të pranishmit në sallën e improvizuar e që ishin në numër të madh.
Lartësia e mureve të kishës, ngjyra e errët si dhe ajri i ftohtë në kishë, ishin elemente të cilat i jepnin madhështi, dramacitet dhe mister ngjarjes, e cila pati edhe një kombinim perfekt me anëtarët e korit të cilët ishin të veshur në të zeza.
Nën tingujt e instrumentit goditës, Bass Drumm, anëtarët e korit hynë në skenë nga fundi i sallës me lëvizje të shpejta. Numri i madh i anëtarëve të korit, veshja e tyre me ngjyrë të zezë si dhe hyrja e djemve në njërën anë dhe vajzave në anën tjetër, duke u pozicionuar në mënyrë perfekte në skenë në dy rreshta, ishte veç një paralajmërim për një perfomancë të hatashme e cila pritej të zhvillohej në vijim.
Lëshimi në tokë i dosjeve të cilat përmbanin pikat të cilat do t’i interpretonin, anëtarët e korit, krijoi një tingull dhe jehon të veçantë, i cili veprim paraqiste një formë të veçantë të artit në vete
Në këtë pikë, dukej sikur publiku ishte hipnotizuar nga vetë hyrja e veçantë e korit Siparantum. Tani ata të llahtarisur nga performanca e tyre, me buzëqeshje në fytyrë, syhapur dhe një pozitë trupore kurrize, sikur donin të thonin çka pastaj?
Me duartrokitje të shumta përfundoi dhe filloi çdo pikë interpretuese e korit më me nam në vend, vlerësim ky të cilin vazhdimisht e merrte nga publiku, në çdo performancë e vend.
Ndryshimi i pozicioneve të anëtarëve të korit, herë duke u ndarë e herë duke u bashkuar grupi i djemve dhe vajzave, në secilën pikë interpretuese, ishte një element tjetër i cili e bënte të veçantë interpretimin e tyre.
Publiku u mbajt pezull gjatë gjithë koncertit, pasi me plotë kureshtje e shikonin pikën e cila po interpretohej por duke e vrarë edhe mendjen se cila ishte befasia e radhës e këtij kori fantastik.
Kulminacioni i shfaqjes u arrit në pikën e tretë interpretuese ‘Mirëmbrëma’ të autorit Lorenc Anton, kur anëtarët e korit u zhvendosen me qirinjë në duar rreth sallës. Në këtë pikë publiku thuajse u mishërua me performancën, pasi koristët e transmetonin energjinë e tyre artistike fare afër audiencës, e cila ishte në një numër shumë të madh, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre qëndronin në këmbë, pasi nuk kishte ulëse aq sa kishte të pranishëm në sallë.
Në këtë pikë magjepsjeje kori filloi interpretimin e tij, tingujt jehonin në sallë kurse publiku i stepur nga performanca shikonin me admirim rreth sallës, anëtarët e korit dhe dritën e vobektë e cila buronte nga qirinjtë. Këto pamje do të mbeten gjatë në memorien e publikut.
Po ashtu, një element i cili e bënte të dallojë këtë kor nga koret e tjera të zakonshme, ishte se pjesë e interpretimit të tyre ishte e plotësuar edhe me lëvizje mjaft unike me këmbë e duar, të cilat ishin të përgatitura mjeshtërisht. Kombinimi i këtyre lëvizjeve me tingujt nganjëherë të qetë e nganjëherë shpotitës, i jepnin performancës autenticitet dhe magnetizëm, të cilit ishte e pamundur t’i shpëtoje.
Përgjatë koncertit, përveç korit në përgjithësi, pati edhe pikë të cilat u interpretuan nga pianistët Denita Dedushaj dhe Agron Shujaku, sopranot Kaltrina Miftari dhe Edina Pllana, altoja Donika Rushiti dhe solistja Fiona Shabani, ndërsa interpretues me me instrumente goditëse ishin Fidan Strumcaku dhe Rizah Jahaj, të cilët i jepnin një ngjyrim madhështor e plotësues performancës.
Fundi i interpretimit pasoi me duartrokitje të gjata, të cilat nuk i kursenin fare të pranishmit pas gjithë atyre minutave shumë të ngjeshur me performanca të veçanta, e të bukura secila në llojin e vet.
Edhe pse vërehej që mbrëmjen e shijonin edhe vetë anëtarët e grupit, me një super energji ku e dhanë edhe shpirtin e tyre në sallë, këtë për KultPlus, personalisht e pohoi edhe organizatori i festivalit i cili në këtë mbrëmje ishte edhe interpretues, baritoni Shaban Behramaj.
“Për mua është festë e dyfishtë sonte, sepse edhe jam organizator i festivalit, por edhe si pjesë e Korit Siparantum, njërit prej koreve më aktive dhe më të suksesshme, tashmë në Kosovë. Kështu që për mua ishte një ndjenjë e veçantë për të performuar para publikut sonte. Ne e kemi sjellë një program goxha të mirë edhe goxha të larmishëm. Uroj që ta kenë pëlqyer publiku”, ka thënë Behramaj.
Kurse dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi, pas qindra urimeve, përshëndetjeve dhe falënderimeve nga të pranishmit, shumë i emocionuar dha një prononcim për KultPlus ku tha se ndihej shumë i lumtur që e dhanë para prishtinasve një performancë të tillë, të cilën anëtarët e korit e bënin krejtësisht në baza vullnetare.
‘’Me thënë të drejtën nuk kemi heshtur as unë dhe as njëri prej koristëve që këtë program të ja rikthejmë Prishtinës. Jam tepër i lumtur, tepër i emocionuar edhe tepër krenarë që kemi sjellë sonte një energji të cilën e kemi përmbledhë përgjatë këtyre muajve punë, dhe e kemi shfaqur para publikut të Prishtinës. Po shpresoj që njerëzit këtu e kanë shijuar edhe kanë arritur ta shohin një punë të përbashkët, e cila është e gjitha në baza vullnetare. Në këtë vend ka shpresë për gjëra të bukura”, ka thënë për KultPlus dirigjenti Kelmendi.
Ai po ashtu potencoi edhe vështirësinë e realizimit të këtij koncerti pasi rrjedha e tij kërkon përkushtim dhe dinamikë të veçantë, duke nënkuptuar që kjo edhe ishte arsyeja se përse publiku pati gjithë atë reagim.
“Ne sonte jemi paraqitur me një program krejtësisht ndryshe. Është një program që kërkon përkushtim edhe dinamikë të veçantë, nuk është një program i njëtrajtshëm i cili mund të luhet vazhdimisht.”
Interpretimi i korit Siparantum, ishte në kuadër të koncerteve të cilat po mbahen në Festivalin Ndërkombëtar “Re Musica”.
Koncerti i radhës dhe i fundit për këtë edicion do të jepet më 23 maj në Sallën e Kuqe, nga European Union Youth Orchestra, në ora 20:00. /KultPlus.com