28 Prill, 2024 - 7:28 pm
Vjollca Duraku
Mbrëmë, në Atelienë e Pallatit të Rinisë është mbajtur koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës me solisten Alba Shkreli, nën drejtimin e dirigjentit Dario Salvi, shkruan KultPlus.
Pianistja shqiptaro-zvicerane, Alba Shkreli, dhe repertori romantik i zgjedhur nga Filharmonia në të dy pjesët e koncertit si duket kishin qenë shkaqet që e stërmbushën gjithë sallën, e cila tashmë është shëndrruar në shtëpi të të gjitha aktiviteteteve të institucionit.
23 vjeçarja Shkreli, fituese e shumë çmimeve në Zvicër, këtë herë erdhi që përvojën e saj ta ndajë në vendin e origjinës, me vepra të cilat ajo i kishte përzgjedhur vetë. Ajo e kishte ndjerë energjinë e popullit të saj si asnjëherë më parë, nga ku edhe me entuziazëm potencoi që pas kësaj përvoje nuk ka dëshirë të kthehet në Zvicër.
Me Koncert për Piano “Nr.1 në e-mol, Op.11” të Frederic Chopin u paraqit pianistja Shkreli, e cila la një shije shumë të mirë te të gjithë pjesëmarrësit. Tinguj mbizotërues të pianos, në sfond me tinguj konstant të harkorëve u dhanë në Allegro maestoso, përderisa tinguj të qetë, serioz, të lartë e të butë u ekzekutuan me mjeshtëri nga Filhamonia dhe solistja që rrezatonte mirësi në Romanze- Larghetto dhe Rondo- Vivace.
Pjesa e dytë e koncertit u mbajt nga Filhamonia e Kosovës në dirigjimin e Dario Salvi me Simfonia Nr. 5 në D-dur/d-mol, Op.107 të kompozitorit Felix Mendelssohn me Andante- Allegro con fuoco, Allegro vivace, Andante, Andante con moto- Allegro vivace- Allegro maestoso.
Në këtë performancë, përpos që pati tinguj të larmishëm në polaritet, herë të rrallë e herë të shpeshtë, me tone të ulta dhe të larta u vu në dukje profesionaliteti i Orkestrës së Filharmonisë e cila iu përgjigj mjaft bukur laureatit për çmimin Globi i Artë, Dario Salvit. Vetë eleganca, mjeshtëria e paraqitjes duke përfshirë lëvizjen e mimikës dhe gjymtyrëve në harmoni me tingujt e Orkestrës së Filharmnisë tregonin shumë për këtë figurë që ka interpretuar në sallat më prestigjioze në botë.
Duartrokitjet e publikut në fund të pjesës së parë dhe të dytë të koncertit duke i bërë që të ktheheshin në skenë disa herë solistja Shkreli dhe dirigjenti Salvi, dhanë mesazhin që koncerti i mbrëmjes së kaluar ishte i mrekullueshëm.
Krejt në fund të ngjarjes në një prononcim për media pianistja Alba Shkreli tha se nga energjia pozitive të cilën e kishte përjetuar këto ditë me Filharmoninë në Kosovës, nuk dëshironte të kthehej përsëri në Zvicër.
“Jam shumë e lumtur. Me qenë në Kosovë është një gjë shumë e veçantë për mua duke e pasur parasysh faktin që unë nuk kam qenë që pesë vite këtu. Ftesa për të ardhur këtu e për të luajtur Chopin-in, program i cili më pëlqen shumë, vërtetë më ka bërë shumë të lumtur. Kënaqësi ishte edhe interpretimi me Salvi-n që ishte një dirigjent shumë i mirë. Gjithashtu edhe komunikimi në shqip me anëtarët e Filharmonisë, ka qenë shumë interesant për mua. Këto katër ditë që kam qenë këtu kanë shkuar shumë shpejtë, gjatë këtyre ditëve unë kam qenë veç duke qeshur dhe shumë e lumtur aq sa s’kam dëshirë të kthehem në Zvicër.
Pianistja Shkreli më tej tha se ishte ndarë mjaft e kënaqur me interpretimin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës.
“E kam përzgjedhur vet veprën e Chopin-it, dhe më pëlqen sepse është diçka shumë intime, ai e ka shkruar kur i ka pasur 20 vite, gati në moshën time, pak më i ri. Edhe pse Orkestra në këtë vepër nuk ka pasur shumë për të interpretuar pasi programi është si me si me qenë piano komplet solo, në pikat interpretaive në prapavijë ajo më ka ndihmuar shumë”, ka thënë Shkreli.
Më tej ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë, Dardan Noka ka thënë se koncerti i mbrëmshëm në dy pjesët e tij ka sjell një repertor romantik, vepra që janë luajtur prej Filharmonisë së Kosovës shumë vite më parë.
“Piano koncerti i Chopin-it ndoshta ka më shumë se 20 vite që nuk është luajtur nga Filharmonia për publikun e Prishtinës. Ne jemi të lumtur që e kemi rikthyer njërën prej pianisteve e cila në kohën kur ndoshta Filharmonia e ka interpretuar për herë të parë ka qenë vetëm një ose dy vjeçe, kurse sot është një nga pianistet më të dalluara të gjeneratës së saj. Ajo është e Kosovës, pavarësisht se gjithë edukimin e saj e ka ndjekur në Zvicërr, Gjermani dhe Francë. Ndërsa Simfonia e pestë e Mandelsonit kemi konsideruar që është e nevojshme të rikthehet në kohë pas shumë vjetësh, një prej veprave që ka lënë gjurmë në literaturën e muzikës klasike dhe e kemi bërë pjesë të këtij sezoni përmes këtij koncerti”, ka thënë drejtori Noka.
Drejtori Noka po ashtu foli edhe për repertorin e koncerteve pasuese të Filharmonisë, nga ku premtoi një program mjaft të pasur artistikisht me vepra të njohura me të cila synohet ngritja e kapaciteteve të institucionit.
“Deri në fund të këtij sezoni në muajt maj, qershor e korrik do të vazhdojmë që të sjellim vepra simfonike si në çdo koncert tjetër. Kanë mbetur në radhë Simfonia e tetë e Dvořák dhe pastaj simfonia e katërt e Schubert-it. Derisa në 25 vjetorin e Çlirimit të Kosovës do të sjellim një vepër premierë botërore sepse do të vij edhe në një verzion ndryshe siç ka qenë para 10 vjetësh. Do të jetë një prej koncerteve që po besoj do të pëlqehet nga publiku. Gjithçka do të përmbyllet me “Meshën për Paqe” të Karl Jenkins sepse kemi konsideruar që do të jetë vepra më e mirë për të shënuar dy ngjarje që do të bëjnë pjesë në kalendarin e Filharmonisë për shënimin e 25 vjetorit të çlirimit të vendit” ka potencuar Noka.
Ndërsa sopranoja e njohur Adelina Paloja e cila ishte pjesë e publikut në këtë koncert tha se ishte një mbrëmje që ka për tu mbajtur në mend, krejt kjo sipas saj nga ngritja e kapaciteteve të Filharmonisë si në nivelin repertuarit të përzgjedhur e po ashtu edhe në nivelin interpretativ.
“Një befasi e këndshme për publikun kosovar ishte prurja e një pianisteje, e cila veçse ka para vetes një karrierë internacionale shumë të suksesshme që e pret, Alba Shkrelin, dhe kjo për faktin se përveç një puneje të jashtëzakonshme si pianiste gjithashtu sonte dallova një sensitivitet të lartë në interpretimin e saj, një shije të hollë në zgjidhjen e temave muzikore, do të thosha e gjitha kjo e kurorëzuar me një koncept muzikor nga syri dhe mendja e dirigjentit Dario Salvi, i cili me një aurë pozitive dhe me një energji të jashtëzakonshme, arriti që të nxjerrë më të mirën nga kjo orkestër sonte”, ka thënë Paloja.
Sopranoja Paloja me tej e potencoi edhe mungesën e sallës koncertale, ndërtimi i së cilës është një nevojë emergjente për punën e artistëve në mënyrë që të mos pësoj puna të cilën ata e kanë ndërtuar me vite.
“Në çdo koncert që ne kemi sallat janë të mbushura, pa çka se faktikisht po e kemi shumë të vështirë që t’i akomodojmë të gjitha ato kërkesa dhe në kushte aspak të favorshme akustike që veçse dihet të sallës koncertale. Ndoshta tingëllon pak si klishe, por me të vërtetë është e nevojë emergjente nga institucionet përkatëse që ta kenë në fokus që këto interpretime të mrekullueshme dhe këta artistë të mrekullueshëm vendas por edhe mysafirë që i kemi të luajnë në kushte të përshtatshme ashtu siç e meritojnë, adekuate, ashtu si nga ana strukturore si nga ana e akustikës, në mënyrë që të mos e pësojë puna që ata e kanë ndërtuar ndër vite si pasojë e kushteve jo të favorshme” ka përfunduar sopranoja Paloja e cila së bashku me shumë artistë të tjerë e kishte shijuar pafund koncertin/KultPlus.com