Me premierë të kompozitorit Dvorak, Altin Tafilaj sjellë harmoni tingujsh në koncertin ‘Viola d’amore’

9 Tetor, 2024 - 10:15 pm

Vjollca  Duraku

Me tingujt e bukur të këngës shqipe “Dashnor t’u bana” të interpretuar mjeshtërisht nga violisti Altin Tafilaj ka filluar koncerti “Viola d’amore”, i pesti me radhë, në festivalin ndërkombëtar të muzikës kamertale “KamerFest”, shkruan KultPlus.

Afërsia që solisti Tafilaj e ndiente me publikun bashkëkombës të tij e shtyu që të ndryshonte programin dhe të nderonte të gjithë pjesëmarrësit në Kishën “Shën Ndou” me këtë këngë të bukur shqipe, të sjellë në një mënyrë mjaftë të veçantë përmes instrumentit të Violës.

“Pasacaglia” e Hande- Halvorsen ishte vepra e radhës interpretuese e koncertit, e cila u dha në bashkëpunim me violinisten e njohur shqiptare Sihana Badivuku. Ritmi i ndryshueshëm i tingujve aq bukur të emetuar në sallën e ftohtë, e të mermertë, ngrohte nga brenda zemrat e publikut.

Pas pak, skenës iu bashkua edhe violinisti tjetër Rron Bakalli me veprën e A. Dvorak, “Terzetto” (Introduzione. Allegroma non troppo, Larghetto, Scherzo.Presto) e cila u soll si premierë në KamerFest dhe në Prishtinë. Ndryshimi drastik i tingujve të shpejtë në të ngadaltë ishte veçantia e kësaj vepre. Kurse interpretimi me gishtërinj, i kombinuar me radhë mes tre artistëve të skenës, ndryshonte ritmin dhe tërhiqte si magnet vëmendjen e audiencës.

Një valle e veçantë e tingujve që ndiqeshin nga njëri-tjetri u dha nga KamerFest String Orchestra dhe violinisti Altin Tafilaj me veprën e kompozitorit F. Schubert me Sonata “Arpeggione” a -minor, D.821 (Allegro moderato, Adagio, Allegretto). Orkestra harkore me 12-të instrumentistë  përmes këtij interpretimi shënoi edhe përmbylljen e koncertit “Viola d’amore”.

Krejt në fund të koncertit, violisti Altin Tafilaj, në një prononcim për KultPlus ka thënë interpretimi në këtë mbrëmje i ka dhënë emocion të veçantë.

“Ishte një emocion i veçantë sepse jam në atdheun tim, me publikun që flet shqip dhe që më kupton. Publiku është shumë artdashës. E ndjeva veten të mirëpritur edhe nga kolegët, orkestra dhe nga organizimi në përgjithësi. Ishte një ndjenjë shumë e mirë, shumë e veçantë”, ka thënë solisti Tafilaj.

Ndërsa, për violinisten Sihana Badivuku, interpretimi përkrah solistit Tafilaj dhe ish-studentit të saj Rron Bakalli ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme.

“Ishte kënaqësi posaçërisht për studentët që të bashkëpunojnë me një violist të këtij kalibri, një artist aq spontan që posedon energji të posaçme unike. Për ne ishte me të vërtetë një dhuratë që Altini pranoi të  vinte në këtë edicion të festivalit. Bashkëpunimi me Altin Tafilaj dhe ish-studentin tim Rronin që tashmë koncerton në skena të ndryshme si në Kosovë, ashtu edhe jashtë, ishte kënaqësi për mua që të performoj me ta veprën premierë “Terzetto’ nga A. Dvorak”, ka thënë violinistja Badivuku.

Ajo më tej falënderoi edhe orkestrën harkore për pjesëmarrje në këtë koncert, duke uruar në të ardhmen e afërt të krijohej një orkestër harkore permanente e kryeqytetit.

“Për një orkestër stabile nevojiten më shumë prova dhe shpresoj që këto lloj orkestrash në të ardhmen e afërt do të institucionalizohen dhe që të kemi një orkestër pemanente harkore të qytetit të Prishtinës ose të festivaleve. Është vullneti i studentëve që me prova minimale të arrijnë të dalin në koncert, dhe kjo është për t’u përshëndetur”, ka thënë violinistja Badivuku.

Ndërsa violistja, Entela Qarkagjija, ka falënderuar mediumin KultPlus për përkrahje të artistëve duke ndjekur nga afër çdo ngjarje kulturore.

“Është shumë kënaqësi të marrësh pjesë në festivalin KamerFest sepse është njëri prej festivaleve më të veçanta dhe një prej festivaleve të para në Kosovë, i cili ka vazhduar të mbajë në mënyrë të përsosur nivelin artistik dhe profesional të muzicientëve. Është shumë kënaqësi të bashkëpunosh me muzicient nga Evropa, dhe njëkohësisht të marrësh dije dhe inspirim nga ta dhe nga puna e tyre”, ka përfunduar anëtarja e orkestrës harkore “String Orchestra”, Entela Qarkagjija./ KultPlus.com

Të ngjajshme