Me simbolikën e Evropës, shënohet hapja e edicionit të 13-të të festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’

10 Maj, 2023 - 5:31 pm

Vjollca Duraku

Nën tingujt e pianos së pianistit italian, Epifano Comis dhe grupit Adra Strins, mbrëmë u shënua hapja e Edicionit të 13-të, të festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili tanimë është shndërruar në një festival tradicional për qytetin e Prishtinës edhe këtë vit u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ndonëse është vend jo adekuat për mbajtjen e koncerteve të tilla, akustika e mrekullueshme, dekori, dhe ngjyrat e dritave, e shndërruan vendin në një ambient tejet të ngrohtë për të pranishmit.

Ambienti u bë edhe më i ngrohtë me daljen në skenë të organizatoreve të festivalit Besa Luzhës e cila përçonte dashuri dhe energji pozitive si dhe Lejla Pulës, e cila përcolli elegancë dhe energji pozitive po ashtu. Organizatoret e shënuan hapjen e festivalit me falënderime për të pranishmit dhe të gjithë bashkëpuntorët përmes së cilëve u mundësua edhe mbajtja e këtij eventi.

Lejla Pula drejtoreshë artistike e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ ndër të tjera tha se synimi kryesor i këtij festivali është shpalosja dhe prezantimi i vlerës kulmore dhe artistike muzikore e botës, në skenën e Prishtinës.

Hapja e edicionit të 13-të të këtij festivali përkoi me ditën e Evropës, andaj me një fjalë rasti iu dha edhe Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i cili tha se në këtë ditë në Evropë festohen vlerat e përbashkëta dhe se është i lumtur që ka bashkëpunuar për të dytin vit radhazi për organizimin e ‘Chopin Piano Fest’.

Ndërsa ambasadori Italian, Antonello De Riu i cili ishte po ashtu njëri ndër mbështetësit e festivalit, iu drejtua publikut i cili kishte mbushur plot sallën dhe mezi prisnin që t’ia fillonte koncerti, duke potencuar rëndësinë e këtij koncerti pasi ky koncert tash sa vite ka arritur të angazhojë gjeneratën e re në muzikën klasike.

Pas këtyre fjalimeve, dritat u fikën dhe si dukej gjithçka ishte gati për të filluar koncerti. Perdja e kuqe u hap dhe në skenë dolën artistët të cilët kishin për të performuar, e të cilët publiku i priti me duartrokitje të shumta.

Në koncertin i cili zhgjati një orë e gjysmë u interpretuan vepra të kompozitorëve më të njohur botëroë si: Mozart, Listz dhe Bethoven.

Ekzekutimi i Pianos nga një mjeshtër siç ishte Epifanio Comis, nën përcjelljen e violinistëve të rinjë por shumë të talentuar të grupit Adra Strings me veprat e autorëve më të mirë, jepte përshtypjen se gjendeshe në sallat më prestigjioze të botës.

Profesionalizmi i pianistit Comis, përpos që dëgjohej me veshë, mund edhe të vërehej me taktin e lëvizjes së duarve të tij. Publiku sy e vesh po e shijonin mbrëmjen me një qetësi që të kënaqte shpirtin. Aty këtu vërehej edhe ndonjëri i cili me këmbë ose me duar ndiqte instiktivisht tingujt përfekt të muzikës e cila po interpretohej para tyre, e, e cila dukej se tashmë i kishte hipnotizuar të gjithë.

Me përfundimin e pjesës së tretë e cila zgjati rreth gjysmë ore, njejtë sikurse edhe dy pjesët pararendëse të saj, publiku dha duartokitje të shumta ndaj artistëve të cilët performuan, e të cilët dhuruan çaste magjike.

Shumë e kënaqur me koncertin e mbajtur ishte edhe Drejtoresha Artistike e Festivalit, Lejla Pula, e cila tha se ndjehej shumë e lumtur pasi kishin arritur të realizohej edhe hapja e 13 të festivalit me një audiencë shumë të kënaqur, pasi deri atëherë kishin pasur frikë në mos nuk do të kishte shumë të pranishëm, pasi 9 maji ishte ditë pushimi dhe po ashtu një ditë e ngarkuar me aktivitete të tjera në kuadër të Ditës së Evropës.

“Për mrekulli shkoi e tëra. Ishim me të vërtetë shumë të lumtur që arritëm të realizojmë edhe hapjen e edicionit të 13-të, me një audiencë shumë të kënaqur, ku salla ishte e mbushur me njerëz dhe perfomanca ishte e mrekullueshme. Edhe pse te ne ishte ditë pushimi dhe jemi frikësuar se a do të jenë prezent publiku sepse ka qëlluar 9 maji edhe me shumë aktivitete. Por, ishte me të vërtetë shumë bukur me një muzikë të jashtëzakonshme me një ambient të mrekullueshëm”, ka thënë Pula për KultPlus.

Ndërsa organizatorja tjetër e festivalit, Besa Luzha, përpos që ishte e shumë e kënaqur me mbarëvajtjen e koncertit në përgjithësi, ajo tha se bashkëpunimi mes muzicientëve më të vjetër, e më me përvojë me muzicientët më të rinjë, shërben si analogji  e Bashkimit Evropian, ku disa shtete janë qysh me themelimin e Evropës dhe disa të tjera janë më të reja dhe janë bashkangjituar më vonë, ku të gjitha së bashku kontribuojnë në krijimin e vlerave të përbashkëta.

“Besoj që të gjithë që kanë qenë të pranishëm janë mahnitë, me lojën e këtyre muzicientve fantastik nga Italia. Këta ishin bashkëpunim i gjeratës më të vjetër me gjeneratën më të re dhe kjo në njëfar mënyre ishte simbolikë që Evropa e jep, sepse në Evropë, sepse ka vende të cilat kanë qenë themeluese të Evropës, por sot në gjirin e saj ka edhe vende të reja, ku së shpejti do të jemi edhe ne”, ka thënë Luzha për KultPlus.

Koncerti ‘Chopin Piano Fest’, i cili filloi mbrëmë më 9 maj, do të vazhdojë për një muaj, ku do të interpretojnë artistë të rinjë dhe të famshëm nga vendi dhe bota. Në këtë edicion do të mbahen gjithsej 15 koncerte me muzikë klasike gjatë të cilëve qytetarët e Kosovës kanë mundësinë për të dëgjuar muzikë klasike me vepra të autorëve të njohur botërorë, falas./KultPlus.com

Të ngjajshme