Me solistë të mahnitshëm, nata e pestë e “PriVicalFest” riktheu në skenë edhe Ansamblin Vocal “Attacca” 

12 Tetor, 2023 - 11:04 am

Vjollca Duraku
Fotografitë: Adi Beqiri

Dirigjenti Hajrullah Syla, sopranot Elona Sadiku dhe Adelina Paloja si dhe tenori Ismet Vejseli ishin protagonistët e koncertit të pestë me radhë të “PriVocalFest” nën shoqërimin konstant të Ansamblit Vocal “Attacca” i cili bëri një rikthim të fuqishëm pas disa vitesh pauzë, në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës, shkruan KultPlus.

Një fikje e pjesshme e dritave ishte paralajmërim që programi i përgatitur artistik në natën e pestë të festivalit, veçse po fillonte, dhe vëmendja e publikut në sallë  filloi të përqendrohej drejtë skenës. Sytë e publikut u kthyen nga ana e djathtë e sallës, në pjesën ku anëtarët e ansamblit vokal “Attacca”, po zbrisnin një nga një nga fundi i sallës, drejt skenës dhe vendeve që ishin përcaktuar për performancë.

“Ner ner” e kompozitorit Jake Runestad, ishte pika e parë performuese e natës së mbrëmshme nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Dy tinguj të pianos shënuan fillimin e këtij koncerti, përderisa disa tinguj të mistershëm filluan të dëgjoheshin nga kori vokal. Pak më vonë, në sallë jehoi një zë i hollë i grupit të vajzave, i pasuar nga zëri i trashë i burrave kryesisht me tinguj të ulët, për të qenë shpërthyes më pas.

Pak më vonë në veprën “Dimër” të kompozuar nga Hajrullah Syla u dhuruan tinguj si mantra medituese, të cilët pas pak grupi i vajzave filloi t’i shndërroj në shprehje. Një vokal i trashë dhe i rëndë i grupit të burrave i jepte veprës një ton më serioz, të cilin ton e thyente herë pas here pëshpërima e grupit të vajzave, përderisa soliste në këtë pjesë, me zë që dominonte interpretimin, ishte sopranoja Elona Sadiku.

Vepra “Water Fountain” e Nathaniel Brenner, Marril Garbus dhe Kristopher Fulton, ishte një pikë tjetër e koncertit e cila u pëlqye pa masë nga publiku. Korit vokal dhe dirigjentit në skenë iu bashkëngjiten edhe Astrit Stafai me kitarë dhe Patris Berisha me perkusione. Duartrokitjet e dy vajzave shënuan pjesën e parë të interpretimit, të cilave iu shtuan edhe duartrokitjet e disa djemve. Vokali i’u shtua pas pak interpretimit, kurse interpretimi me perkusione shënoi pikën kulmore duke nxjerrë tinguj të këndshëm për veshin e dëgjuesit, çka edhe u duartrokit shumë nga publiku.

Ndërsa pika “Asaman” e Vasil S. Tole  u dha nën interpretimin e Andi Durakut me piano dhe tenorit Ismet Vejseli. Nxjerrja e tingujve duke mbajtur gojën mbyllur ishte ajo çfarë ra në sy në këtë pjesë, i cili u shoqërua më pas me zërin e tenorit, i cili qe në disa raste edhe shpërthyes.

Ndërsa e fundit në interpretim qe vepra “We can mend the sky” e Jake Runestand në të cilën së bashku me korin interpretoi edhe sopranoja Adelina Paloja, që me ton të brishtë mëtonte të paraqiste karakterin e një fëmije të pafajshëm.

Pikat tjera që u paraqitën në këtë koncert ishin: “This Marriage” e Erick Whitaccre, “Ubi Caritas” e Ola Gjeilo, “Underneath the stars” e Kate Rusby, “Kuulin aanen” e Maari Kallberg, “My song”  e Eriks Esenvalds dhe “Northen Lights” e Ola Gjeilo.

Krejt në fund të koncertit në një prononcim për KultPlus, sopranoja Adelina Paloja është shprehur tejet e lumtur që ka sjellë para publikut prishtinas një vepër me një kuptim specifik, e cila është dëgjuar shumë në mbarë botën.

“Është një vepër shumë e këndshme nga kompozitori Jake Runestad, e cila është porositur në një sistem shkollor, aty ku motra e tij ka punuar, në një vend ku ka pasur shumë refugjatë nga Somalia, të cilët kishin marr një rrugë jashtëzakonisht të vështirë dhe me rrezik për jetën e tyre për të arritur në destinacionin final për një jetë më të mirë në Amerikë. Kësisoj atij i kishin ardhur 100 tekste, dhe nga ato tekste ai e ka përzgjedhur pikërisht këtë. Dhe në bazë të fjalëve të vajzës e cila e ka shkruar tekstin, ai ia ka dedikuar edhe këtë linjë të mrekullueshme e cila ka gjithçka në vete”, tregoj Paloja.

Ndërsa udhëheqësi artistik i festivalit dhe njëherit dirigjenti i Ansablit Vokal Attacca, Hajrullah Syla ka thënë se ndihej i kënaqur nga ajo që mbrëmë kishin arritur t’i dhuronin publikut së bashku me korin dhe solistët e mbrëmjes.

“Koncerti ishte një paraqitje mjaft e mirë duke u nisur nga një program i cili është tejet kërkues, një program i cili me të vërtetë e kërkon një masë shumë më të madhe të koristëve se sa që Ansambli “Attacca” i numëron. Vetëm 16 prej tyre janë muzikantë profesionistë të kësaj fushe dhe mendoj që qysh nga fillimi e deri në fund të koncertit ishte një energji mjaftë e mirë dhe ajo energji u përçua tek publiku, të cilët e duartrokitën mjaftë shumë koncertin”, ka thënë dirigjenti Syla duke treguar po ashtu se festivali në përgjithësi po shkonte shumë mirë, dhe se drejt finalizimit po shkonte gjithçka ashtu si ata kishin planifikuar.

Mbrëmje të bukur e quajti koncertin e mbrëmshëm edhe sopranoja Elona Sadiku, e cila në këtë koncert performoi edhe si soliste nën përcjelljen e Ansamblit “Attacca” i cili ishte rikthyer në skenë pas disa vitesh pauzë.

“Për mua ka qenë një emocion shumë i veçantë të jem pjesë e këtij koncerti kaq madhor, për shkak se për sa vite me radhë “Attacca” ky ansambël koral ka punuar dhe ka bërë një punë të mrekullueshme për tu rikthyer përsëri në skenë pas sa viteve. Unë të jem pjesë e këtij ansambli me të vërtetë ka qenë një ndjenjë e papërshkrueshme aq më tepër kur këndova solo veprën e dirigjentit të këtij ansambli Hajrullla Syla, veprën “Dimër”. Mendoj që festivali “PriVocalFest” po i jep një frymë shumë më ndryshe Prishtinës dhe jemi shumë të lumtur për këtë gjë”, ka thënë sopranoja Sadiku.

Ndërsa interpretuesi tjetër, kitaristi Astrit Stafai ka thënë se për të është kënaqësi kur sheh që përpjekjet e një gjenerate të mesme për kultivimin e artistëve të rinj dhe muzikës së mirë, arrijnë të shfaqen në praktikë, që në këtë rast duke dhënë vlera nga interpretimi në skenë.

“Në fakt është kënaqësi gjithmonë, privilegj dhe emocion për të performuar në skenë, se krahas karrierës dhe koncerteve me qindra që i kam pasur, është kënaqësi kur njeriu i sheh edhe artistët e rinj që po e kultivojnë muzikën e mirë, pasi në fund të fundit edhe ne si brez pak më i mesëm jemi kujdesur që brezi më i ri të kultivojnë muzikën e mirë dhe të jetojnë me muzikë të mirë.  Dikur ndoshta kanë qenë mësime ndërsa sot ata po e zbatojnë atë në skenë. Skena është vendi ideal ku artisti duhet ta tregojë vlerën e vet”, ka thënë kitaristi Stafai.

Astrit Stafai po ashtu ka potencuar se ka qenë kënaqësi për të, që të jetë pjesë e këtij koncerti të  “PriVocalFest” duke bashkëpunuar me një grup fantastik siç qe kori vokal “Attacca” në krye me dirigjentin Hajrullah Syla.

“Pjesëmarrja në PriVocalFest” është kënaqësi gjithmonë duke pasur parasysh se ideatori i festivalit është edhe miku im dirigjenti i shkëlqyeshëm, Hajrullah Syla, ku do të thoja nga “koka” e tek poshtë, si “trup” gjithçka funksionon mirë, për arsye se ekipi është i mirë. Kur ekipi është i mirë dhe kur ka njerëz të mirë me energji të bukur atëherë krijohet një magji, të cilën magji publiku pati rastin ta përjetoj dhe ta ndiej. Shpresoj që në të ardhmen të kemi raste të tilla më të shpeshta që në njëfarë mënyre të edukojmë publikun, që të vijë në numër edhe më të madh që të dëgjoj muzikë të perlave qoftë atyre shqiptare apo ndërkombëtare”, ka thënë Stafai.

Koncerti i radhës i “PriVocalFest” do të jepet më 13 tetor në ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, në të cilin solistë janë Zoya Petrova dhe Andi Duraku. / KultPlus.com

Të ngjajshme