18 Shkurt, 2025 - 7:33 pm
Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica
Mbrëmë, Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur Koncertin Festiv pothuajse premierë dedikuar 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me solistët Shkëlzen Baftiari dhe Flaka Goranci nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, shkruan KultPlus.
Intonimi i Himnit të Republikës së Kosovës ishte pika e parë e cila u interpretua në ditëlindjen e 17-të të shtetësisë së Kosovës. Ngjajshëm me vitet e vendit ka vazhduar të rritet edhe vet institucioni i Filharmonisë, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon të performojë në salla të improvizuara.
Koncerti Qendror i Filharmonisë i mbajtur më 17-të shkurt 2008 është drejtuar po nga Dirigjenti Baki Jashari, i cili në atë kohë para vetes ka pasur pothuajse mbi gjysmën e instrumentistëve të huazuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ky përvjetor Filharmoninë e gjen të kompletuar në kapacitetin artistik. Mirëpo, mungesa e sallës dinjitoze është evidente edhe 17 vite pas Pavarësisë dhe 25 viteve të Lirisë.
Vepra “Suitë Ilire” e autorit Mark Kaçinari ishte vepra e parë e programit Festiv të Filharmonisë, e cila dërgonte memorien në histori dhe ngjarje të paraardhësve. Njëtrajtshmëria e tingujve e përshkonte veprën që herë pas here prekte në mallëngjim. Me radhë në interpretim vijnë frymorët dhe harkorët që i shtojnë vlerë një epoke të historisë.
Pjesa e radhës interpretative ishte “Fantazi për piano dhe orkestër” e autorit Blond Krasniqi. Tingujt e pianos që emetoheshin nga pianisti Shkëlzen Baftiari ishin kryefjala e veprës. Notat e fuqishme që shkonin duke u shuar deri në tinguj shumë të qetë të pianos, e karakterizonin veprën premierë, përderisa kombinimi i instrumentëve në interpretim krijonte harmoninë dhe kulminacionin e veprës.
“Poema Simfonike MIZER- Reçak” e autorit Liburn Jupolli që poashtu u soll premierë është pjesë e një cikli më të madh veprash simfonike të dedikuara viktimave të masakrave në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999. Vepra erdh si homazh i të gjitha viktimave që janë vrarë më 16 janar 1999, në fshatin Reçak. Shqiptimi i emrave të të vrarëve dy herë në fillim të veprës e gdhendte në kujtesë identitetin e tyre.
Pjesa e parë e veprës “Rrethimi në mëngjes” paraqiste fillimin e ngjarjes tragjike. Pjesa “Granatimet dhe bastisjet” jepnin ciklin e sulmeve në mënyrë të përsëritur, derisa goditja e tupanit jepte kulminaconin e dramacitetit të ngjarjes makabre. “Ekzekutimi i Banushit”, “Shkatërrimi i fshatit dhe shtëpia e Sadi Osmanit”, “Kolona Tragjike”, “Masakra te gropa e Bebushit” dhe “Të mbijetuarit” ishin pjesët tjera interpretuese. Te pjesa “Masakra te gropa e Bebushit” që shënonte momentet më të dhimbshme të kësaj ngjarjeje kori në nderim thërret një nga një përsëri emrat e të rënëve, që rrënqethnin pashmangshëm.
Vepra e Korab Shaqirit “I miri i motrës” u dha nën interpretimin e mexosopranos Flaka Goranci. Veshja e solistes në të zeza, e kombinuar me përgatitjen profesionale që në sfond përcillej nga Orkestra dhe Kori i Filharmonisë paraqisnin një ngjarje tragjike në një dasmë shqiptare. Vepra përbëhej nga pjesët Intro, Ninulla, Pastorale, Dasma, Lufta, Drama, Balada dhe Elegjia.
Vepra “Dies Irae nga “Rekuiem” nga Guiseppe Verdi qe një vepër që po ashtu nderonte viktimat. Kurse vepra emblematike “Mallëngjimi” nga autori Valton Beqiri erdh në fund si një pjesë për ta përmbyllur programin në mënyrë festive të oranizuar për nder të 17-të vjetorit të Pavarësisë.
Pas koncertit, kompozitori Liburn Jupolli në një prononcim për KultPlus ka thënë se vepra “MIZER- REÇAK” është një projekt i vazhdueshëm, i cili ka më shumë se tre vjet që është duke u zhvillluar.
“Vazhdimisht po studioj dokumentacionin e disponueshëm lidhur me këto ngjarje makabre. Bazuar në këto dokumentacione, po përpiqem të krijoj vepra simfonike që janë të denja dhe shërbejnë si homazh për të gjitha viktimat. Kjo pjesë është dedikuar viktimave të masakrës së Reçakut dhe trajton ditën specifike kur ndodhi masakra, duke përfshirë edhe ngjarjet pas saj, si vizita e William Walker-it dhe raportimi ndërkombëtar për masakrën”, ka thënë kompozitori Jupolli.
Tutje, kompozitori Jupolli tha se është shumë e rëndësishme që të edukojmë veten me të gjitha informacionet që lidhen me historinë e republikës, e cila ka kaluar nëpër sakrifica të mëdha për të qenë aty ku gjendet sot.
“Është e rëndësishme që ta kujtojmë këtë jo vetëm si Kosovë, por edhe si Evropë dhe si botë. Po ashtu, është e rëndësishme që të kemi përfaqësime të historive tona të përbashkëta si njerëz. Dhe që të mbajmë një kujtesë emocionale në respekt të njerëzve që kanë rënë viktima të këtyre ngjarjeve makabre. Prandaj, emrat e tyre në këtë vepër shërbejnë edhe si një nivel tjetër i përkujtimit të ekzistencës së tyre, pasi ata nuk janë thjesht numra, por njerëz me emra, jetë, histori, marrëdhënie, familje dhe mendime që janë krejtësisht njerëzore dhe nuk duhet të harrohen kurrë si të tilla”, ka thënë Jupolli.
Kurse, solisti Shkëlzen Baftiari interpretimin në koncertin qendror për 17-të vjetorin e Republikës së Kosovës e ka cilësuar si nder të madh.
“Është nder për mua dhe për secilin instrumentist të interpretojë në Koncertin Festiv të organizuar për 17- të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Unë jam nga Maqedonia, ne jemi rritur me mendje dhe zemër drejtuar nga Kosova. Kujtoj ditën kur është shpallur Pavarësisa e Kosovës, kemi festuar tërë natën. Tash, pas 17 vitesh unë jam pjesë e koncertit të Filharmonisë pikërisht në përvjetorin e 17-të Pavarësisë së Kosovës. Është kënaqësi dhe nder i madh”, ka thënë solisti Baftiari, duke shprehur kënaqësinë e tij që ka interpretuar një vepër të një kompozitori të talentuar.
Ndërkaq, dirigjenti Baki Jashari ka thënë se ndihet i lumtur që koncerti me sens tradicional që çdo përvjetor organizohet nga Filharmonia e Kosovës ka përfunduar me sukses.
“Veçantia e këtij përvjetori është përmbajtja programore shumë specifike, me vepra ekskluzivisht premierë të kompozitorëve shqiptarë duke filluar nga Mark Kaçniari me një “Suitë Ilire”, një vepër që është shkruar më herët por që asnjëherë nuk është interpretuar. Vazhduam me veprën e kompozitorit Blond Krasniqi, më pas edhe me veprën e Liburn Jupllit që ishin vepra krejtësisht me një fizionomi të veçantë. Vepra “Mizer Reçak” është një vepër me përmbajtje tragjike ku përshkruhet tmerri dhe masakra e Reçakut, ku gjatë interpretimit dëgjohen emrat e viktimave të cilët nuk do të harrohen kurrë edhe pse ne jemi në ditën që festojmë. Është e paimagjinueshme të mos kujtohen të gjithë martirët e lirisë, andaj edhe në këtë program muzikor e gjetën vendin”.
Dirigjenti Baki Jashari ka kujtuar edhe ditën e shpalljes së Pavarësisë, ku edhe e ka drejtuar koncertin e Filharmonisë.
“Kur e kujtoj 17 shkurtin e vitit 2008, mbrëmjen kur ne e kemi mbajtur koncertin inaugurues, kujtoj që në skenë gjysma e orkestrës ka qenë nga Shqipëria. Ndërsa sonte, 17 vite më vonë praktikisht kemi pasur si musafir dy apo tre për dallim nga ajo kohë. Natyrisht, nuk është edhe kohë e shkurtër por megjithatë kuadri i profesionistëve të Filharmonisë nuk krijohet lehtë, andaj ne jemi pothuajse të kompletuar”, ka thënë Dirigjenti Jashari duke e potenduar edhe mungesën e sallës adekuate.
“Minusi i tërë kësaj është objekti, infrastruktura, salla koncertale. Ne vazhdojmë edhe pas 17-të vitesh të koncertojmë në Sallën e Kuqe, që krahas respektit historik që e ka kjo sallë për zhvillimet e shumta që kanë ndodhur, megjithatë nuk është sallë koncertale dhe nuk i përmbush kushtet për gjithë orkestrën dhe korin interpretativ. Ishte dashur të kemi një sallë dinjitoze për shkak të akustikës por edhe për akomodimin e publikut të shumtë” ka thënë ai.
Tutje, Drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se si institucion kanë hyrë në fazën që koncertet që janë pjesë e festave të rëndësishme, janë njëkohësisht edhe pjesë e kalendarit të rregullt të Filharmonisë.
“Mua më vjen mirë për këtë. Filharmonia në agjendën e saj e ka koncertin që i dedikohet Pavarësisë, ajo është edhe pjesë e agjendës shtetërore, por koncerti funksionon si ngjarje e veçuar në raport me pjesën protokolare. Kjo na ofron mundësi që artistikisht të jemi më të lirë në kuptimin që të programojmë vepra që janë edhe premierale dhe janë të shkruara posaqërisht për raste të tilla, që e pasurojnë edhe literaturën e muzikës klasike tek ne, e në të njëjtën kohë edhe muzikën e angazhuar që i dedikohet tregimit të popullit të Kosovës edhe përmes tingujve, jo vetëm ndoshta një ekspozite apo librave që mund të shkruhen ose të këngëve të cilat janë shumë popullore”, ka thënë Selimaj.
Ai gjithashtu ka thënë se veprat vendore të muzikës klasike përbëjnë një repertor që përfaqëson denjësisht Filharmoninë kur ajo të prezantohet jashtë Kosovës, ku bashkë me kapacitetet artistike bart me vete edhe një copë të historisë së vendit./ KultPlus.com