Me vepra shqiptare e malazeze ‘Chopin Piano Fest’ shënon mbylljen e javës kulturore të Malit të Zi në Prishtinë

28 Maj, 2024 - 5:20 pm

Vjollca Duraku

Ilirjana Gjoni dhe Milica Laloseviq ishin protagonistet e koncetit të tetë në “Chopin Piano Fest”, të cilat njëkohësisht janë edhe artistet e para që e prezantuan shtetin e Malit të Zi në historinë e Festivalit më të madh të muzikës klasike në vend, shkruan KultPlus.

Ngjarja si zakonisht u zhvillua në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Me këngë popullore malazeze u hap programi i natës së mbrëmshme nga pianistja Ilirjana Gjoni, e cila është fituese e shumëfishtë në garat kombëtare në Mal të Zi, si dhe sopranoja Milica Laloseviq, po ashtu e shpallur fituese në festivale të ndryshme.

Në nderim të vet Festivalit pianistja Gjoni kishte përzgjedhur edhe veprën e F. Chopin “ Nocuturne op.27 nr 2, D- dur”, “Ballade nr.1, op 23, g-mol” duke dhuruar tinguj aq të bukur në sallë, ku ndër personalitete të tjera të pranishëm që me shumë kënaqësi e  ndoqën ngjarjen ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe tenori me famë botërore Ramë Lahaj.

Ngjarjen po ashtu e shijoi shumë edhe publiku që edhe kësaj radhe ishte i shumtë në numër, përderisa pikën kulmore të koncertit e shënoi vepra “Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, duke dhuruar tinguj që në veshin e audiencës identifikoheshin si shqip.

Veprat tjera me të cilat u zhvillua programi ishin: “Balada e ullirit” nga S. Gaceviq, Poljem se vija”,  “Bulbul mi poje”, “Duso, Mare”, “Vrani se konji igraju”. “O mio baabbino caro”, “Lauretta- Gianni Schicchi” nga G.Puccini, “Gypsy melodies: Op 55: 4. Andante con moto” nga A. Dvorak, “ Non ti scordar di me” nga E. De Curtis, “ Suite bergamasque- Prelude, Menuet, Claire de Lune, Passepied nga C. Debussy.

Krej në fund të koncertit pianistja Gjoni të jashtëzakonshëm e quajti interpretimin e natës së mbrëmshme, i cili e kishte rikthyer në Kosovë pas 15 vitesh.

“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem në Prishtinë përsëri pas një periudhe 15 vjeçare, që kur jam shkëputur nga studimet në Gjermani dhe Belgjikë. Unë si ulqinake normalisht në Prishtinë ndihem si në shtëpinë time. Ishte kënaqësi e veçantë të luaj si pianiste soliste. Edhe me sopranon Lalosheviq kemi luajtur një program të larmishëm, ku për mua ishte një mundësi interesante që të njihesha me repertorin me motive malazeze sepse nuk e kam luajtur më parë. Shumë faleminderit të gjithë organizatorëve, jemi ndjerë me të vërtetë shumë mirë dhe jemi kënaqur sonte”, ka thënë Gjoni.

Pianistja Gjoni më tej komentoi edhe veprën “ Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, të cilën para pak kohe kishte pasur rastin ta luajtur në Bruksel.

“Veprën e “Skënderbeut” nga Çesk Zadeja e kam luajur para pak ditësh në Bruksel, në Ditën e Evropës, më 9 maj. Kam pasur nderin të përfaqësoj kompozitorët e Ballkanit Perëndimor. Dëshira ime ishte që “Skënderbeun” ta vendosja te institucionet Evropiane. Vepra u përcoll vërtetë shumë mirë, mos të them që publiku duke qenë se kam luajtur vepra nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e ndiente një lidhje më të veçantë me Çesk Zadenë”, ka thënë më tej pianistja Gjoni.

Kurse sopranoja Milica Laloseviq ka thënë koncertin në “Chopin Piano Fest” do ta kujtoj si një përvojë mjaft të bukur.  

“Kemi kaluar shumë mirë këtu , do ta kujtoj si përvojë të bukur. Kemi prezantuar katër këngë të bukura nga Mali i Zi. Mendoj se këto këngë e prezantojnë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të mendimit. Janë shumë të shkurtra por mendoj se audienca i ka shijuar dhe e kanë kuptuar. Pjesa tjetër e koncertit ka përfshirë repertorin e famshëm italian” është shprehur sopranoja duke komentuar edhe bashkëpunimin me pianisten Gjoni.

“Kjo është hera e parë që vij në Prishinë dhe në festival. Iliriana më ka ftuar të jem pjesë e këtij festivali me të. E njoh tash e disa vite. U takuam në një festival në Herceg Novi në Mal të Zi. Vazhduam bashkëpunimin dhe shpresoj se do të interpretojmë prapë së bashku” është shprehur ajo.

Ndërsa organizatorja e Festivalit, Besa Luzha interpretimin e dy artisteve nga Mali i Zi e quajti të jashtëzakonshëm.

“Ilirjana luajti jashtëzakonisht bukur si pianiste, kishte një dinamikë, një mendim muzikor të përmbledhur shumë bukur. Gjithashtu edhe sopranoja kishte një ngjyrë shumë të bukur të zërit, një impostim jashtëzakonisht natyral, një vokal të shtrirë të bukur dhe të butë në veprat që interpretoi, dhe gjithë kjo dha një emocion jashtëzakonisht të bukur në mbrëmjen e tetë të “Chopin””, u shpreh organizatorja Luzha.

Oraganizatorja Luzha u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin me ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, që në krye pati përfaqësuesin Bernard Çobaj, falë të cilit bashkëpunim u mundësua një paraqitje e tillë.

“Ishte një rastësi që java kulturore malazeze të përkonte me “Chopin…”, kështu përfaqësuesi i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj shprehu dëshirën që ne ta kurorëzojmë këtë javë me një koncert të përbashkët, duke kombinuar një program shumë të bukur nga dy artiste nga Mali i Zi. Kishte një potpuri këngësh malazeze, variacione nga Çesk Zadeja për “Skënderbeun”, një simbolikë me folklorin e dy popujve që jetojnë në Malin e Zi. Koncerti gjithashtu u përcoll edhe me një program mjaft të bukur nga Puccini, Dvorak, Curtis,  Gaceviq. Dhe, krejt në fund Ilirjana na shpërbleu me baladën e Chopen për nder të Festivalit” ka përfunduar organizatorja Besa Luzha.

Koncerti i radhës mbahet nga Kuarteti Kroat i Kitarës, në përbërje me Petrit Çekun, Zoran Dukiq, Maroje Briqiq dhe Tvrtko Sariq, më 29 maj, në ora 20:00 në Ambiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare/ KultPlus.com

Të ngjajshme