Me veprën e Mozartit, Filharmonia e Kosovës mbrëmë ngriti zërin kundër dhunës ndaj grave

9 Dhjetor, 2019 - 10:53 am

Qendrim Badalli

Nga një mindil me ngjyrë të portokalltë kishin vendosur në kostumet e tyre të gjithë anëtarët e trupës së Orkestrës së Kosovës, ndërsa gratë anëtare të korit, kishin vendosur varëse me ngjyrë portokalli. Edhe ndriçimi në sallë ishte me ngjyrë portokalli. Të njëjtën ngjyrë e vëreje madje edhe në biletën për këtë koncert. Gjithçka ishte e portokalltë sepse kjo ngjyrë është simboli i fushatës 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore, në kuadër të së cilës mbrëmë u realizua edhe koncerti nga Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës të cilët realizuan veprën “Requiem” të Mozart-it nën dirigjimin e dirigjentit, Rafet Rudi, shkruan KultPlus.com

“Do të vazhdoj të punoj edhe më tutje deri sa të mundem”, tha dirigjenti, Rafet Rudi, i cili dje shënoi 70-vjetorin e lindjes së tij.

Në këtë mbrëmje që po fliste ndryshe, salla ishte e mbushur që nga fillimi, një numër i madh i grave, i të rinjve, përfaqësues ambasadash, përfaqësues misionesh ndërkombëtare, gazetar dhe figura eminente nga fusha e kulturës përbënin një numër jashtëzakonisht të madh të të pranishmëve të cilët ishin pjesë e këtij koncerti dhe njëkohësisht edhe mbështetës të fushatës kundër dhunës ndaj grave, pra ishin adhurues të ngjyrës portokalli, së paku për 16 ditë.

Ky koncert që pati një shtrirje të jashtëzakonshme, u përmbyll nën duartrokitjet e gjata të publikut.

Ish- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një intervistë ekskluzive për KultPlus-in, e ka quajtur të jashtëzakonshme këtë ngjarje teksa ka falënderuar akterët pjesëmarrës në këtë organizim.

“Ishte një organizim jashtëzakonisht i mirë, unë dua të përgëzoj së pari Filharmonin e Kosovës, UN Women në Kosovë, Ambasadën e Francës, prezencën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë të cilit kanë qenë përkrahës të fuqishëm dhe duke iu falënderuar atyre ne kemi organizuar edhe 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës ndaj gruas në përgjithësi por që këtë vit iu ka dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”. Tutje, Jahjaga, ka folur edhe për rëndësinë që kanë organizimet e tilla në raport me uljen e dhunës ndaj grave.

“Kohëve të fundit kemi parë një shkallë në rritje të dhunës ndaj gruas si në rrafshin global ashtu edhe në Kosovë dhe organizime të tilla janë të domosdoshme sidomos në ngritjen e vetëdijes për ta kundërshtuar dhunën në përgjithësi dhe sidomos dhunën ndaj gruas”.

Dirigjenti i njohur kosovar, Rafet Rudi fillimisht ka folur për realizimin e veprave të ndryshme nga kori si dhe për një format të ri në të cilin ka hyrë Filharmonia e Kosovës përmes realizimit të këtyre veprave.

“Ju që ndoshta e keni përcjellë korin në vitet e fundit, kori i rreket një literature vokalo-instrumentale në realizimin e veprave kapitale të muzikës së kësaj gjinie dhe ne kemi realizuar Beethovenin, edhe veprën e Mozart para disa viteve dhe kështu me radhë, pra kemi hyrë në formatin e Filharmonisë si institucion sepse Filharmonia e ka këtë format në kuptimin që nuk realizon vepra vetëm korale por gjithashtu ka obligim të realizoj vepra të mëdha me orkestër dhe këtë e bëmë edhe kësaj radhe, realizuam një vepër që është qendrore në muzikën klasike, një nga më të mirat në literaturën botërore”.

Meqë mbrëmë shënoi 70- vjetorin e lindjes, dirigjenti veteran, Rudi me shumë buzëqeshje ka folur edhe për ndjenjën e tij si 70-vjeçar në aspektin profesional.

 “Unë për vete po punoj edhe tash me një tempo të njëjtë besoj dhe do të vazhdoj të punoj edhe më tutje deri sa të mundem, qoftë në fushën e dirigjimit, sidomos në fushën e kompozimit dhe të shkrimeve”.

Për këtë datë të veçantë për dirigjentin, dhuratat nuk ishin të pakta, ai pranoi duartrokitje pafund nga publiku në sallë dhe një mori tufa lulesh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën artistike në Kosovë.

Pas përfundimit të koncertit, në sallë artistët dhe mysafirët u panë duke diskutuar mes vete ku shkëmbyen vlerësimet e tyre. /KultPlus.com

Të ngjajshme