2 Gusht, 2019 - 3:41 pm
Ramë Lahaj mbrëmë mbushi Prishtinën me ngjyrat artistike të zërit të tij të veçantë. I titulluar ‘’Ramë Lahaj ëith Friends’’ ky koncert u mbajt mbrëmë në sheshin Skënderbeu. Shfaqja filloi me disa video-incizime, që për bazë kishin performancat e Lahaj-t ndër vite. Kur skenës iu bashkua Lahaj, dhe duartrokitjet e publikut pushuan për t’i dhënë rastin të marrë fjalën, ai filloj me një fjalim të shkurtë, duke falënderuar Komunën e Prishtinës, dhe duke u shprehur se një koncert të tillë ua ka borxh qytetarëve të Kosovës dhe se ky lloj i eventit do të organizohet edhe vitin tjetër, shkruan KultPlus.
’’Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të jem në mesin e juaj’’, u shpreh ai. Falënderoj orkestrën, miqtë e tij që do të ishin performues në koncert, si dhe publikun e madh që me padurim prisnin të dëgjonin zërin e tij të veçantë. Duke qenë një artist me famë botërore, ai bëri që sheshi i Prishtinës të mbushej plot me dashamirë të artit dhe të punës së tij.
Sheshi kumbonte nga turma, e nga brohoritjet drejtuar Ramë Lahajt. I emocionuar nga pritja madhështore që i bënë publiku kosovarë, ai filloj me performancën e tij, që më pasë do të përcillej edhe nga baritoni bullgar, Kiril Manolov, baritoni Kosovar Adhurim Grazda dhe sopranoja Besa Llugiqi, të cilët publiku i priti me shumë entuziazëm e duartokitje.
Dirigjues i orkestrës ishte italiani, David Crescenzi, për të cilin Lahaj tregoi një storie interesante, ai tha: “Storia e lezetshme në këtë mes është me Davidin, kur para një periudhe performuam në operë në Duseldorf, në muhabet e sipër më thotë: Si është Prishtina pas 20 vjetësh? I thashë që është mirë”. “Por mua më habiti si e dinte Prishtinën se ndonjëherë kur udhëtoj në kontinentet e tjera nuk e kanë shumë idenë se ku i bie Prishtina dhe Kosova – edhe po e pyes kah kjo lidhje e jotja me Prishtinën, ai ma kthen se ka qenë carabinier në luftë dhe se është kurioz me pa Prishtinën 20 vjet pas luftës”.
Pika kryesore e këtij koncerti, ishte kur Ramë Lahaj performoi këngën e famshmë “O moj bukuroshe”, këngë kjo e cila te publiku ngjalli një emocion më ndryshe, duke i dhënë shpirt publikut, dhe në një mënyrë indirekte duke e bërë edhe atë pjesë të koncertit.
Kurse mbrëmjen e përfundoi me këngën ‘’Rrjedh në këngë e ligjërime’’, këngë kjo që dikur është kënduar nga Vace Zela. Ndërsa sot Ramë Lahaj përmes një statusi në facebook, ka shprehur ndjenjat e tij rreth koncertit të mbrëmshëm dhe ndjenjat personale atdhetare. ‘’Mundesh me qenë me fat, me i ra tanë dynjasë rreth e përqark, po dashninë si në tokën nanë s’e gjen askund! Aty ku t’a shijojnë e dëgjojnë çdo frymëmarrje, sikur të ishte e fundit. Aty ku vuajtja e gëzimi na rrëmbejnë njëkohësisht, sepse kemi vuajt shumë që m’u mbledhë kështu… pa frikën nga pushtuesi, e për të k’nue gjithçka që na do zemra në tokën që sakrifikuam aq shumë për të. Nga sheshi i të madhit Skënderbe, e me hovin e trokut të tij, sh’iptarët do t’i biejnë botës anë e mbanë, për me tregue që jemi diamanti i Evropës, jo ai qe ju është e shtremnue ndër shekuj! Ju dua, qysh e do nana fëmijën, ohh sh’iptarët e mi të dashur! E ju premtoj se cdo vit kam me ju dhanë një koncert të këtillë, për çdo vit kemi me i këndue bashkë dashnisë e lirisë. Një falënderim i madh për komunën e Prishtinës, orkestrës mbarëkombëtare dhe kolegëve të mi nga vendi e ndërkombëtarë’’, ka shkruara Rama.
Ky concert u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. / KultPlus.com