7 Janar, 2021 - 10:10 pm
Medina Pasoma
Nga të gjitha këngët e grupit 403, të cilat mbeten vlerë në skenën muzikore shqiptare, kënga “Akoma po të pres” u bë mollë sherri në mes vëllezërve Gjurgjiali, shkruan KultPlus.
Solisti i këtij grupi, Hektor Gjurgjiali në intervistën e fundvitit për KultPlus, foli ekskluzivisht edhe për rrugëtimin e kësaj kënge, duke thënë se kënga “Akoma po të pres” është keqpërdorë nga vëllai i tij, Mentor Gjurgjiali.
Sipas tij, vëllai i tij e kishte marë kopjen e kësaj kënge nga makina, dhe të njëjtën ia kishte ofruar Mihrije Brahës. Dhe këtë gjë e kishte kuptuar vetëm pasi e kishte dëgjuar këngën e tij të këndohej nga Mihrije Braha.
Por kjo intervistë e Hektor Gjurgjialit ku akuzon vëllain e tij për keqpërdorimin e këngës, nuk i ka lënë një shije të mirë Mentor Gjurgjialit. Në një intervistë për KultPlus ai tregon anën tjetër të medaljes për këto akuza, i cili thotë se kënga “Akoma po të pres” e mban autorësinë e Mentorit dhe jo të Hektorit, dhe se këtë këngë e kishte realizuar në fund të viteve të 80-ta, dhe sipas tij ishte shkruar për Mihrije Brahën.
“Kënga “Akoma po të pres” sipas zhanrit nuk ishte këngë rok por folk dhe nuk ishte fare në stilin e Grupit 403. Ajo nuk është kënga e vetme e shkruar për Mihrije Brahën”, thekson Mentor Gjurgjiali.
Tutje teksa thekson se ai ka edhe shumë këngë tjera të kompozuara edhe për artistë tjerë, Mentor Gjurgjiali ka edhe një përgjigje se pse pikërisht në këtë kohë, Hektori doli në medie dhe shpërfaqi këtë histori, sipas tij jo e qëndrueshme.
“E tërë kjo storie, “spektakël” të cilën e bëri Hektori rreth këngës “Akoma po të pres” doli tani, sepse unë, si themelues dhe udhëheqës i Grupit 403 që nga fillimi i ekzistimit të tij, për 40 vjetorin e themelimit të grupit, në tetor të vitit 2020, e përgatita albumin e ri dhe e vendosa në një web faqe në të cilën shpaloset historia e vërtetë e grupit”, shprehet Gjurgjiali, i cili ka edhe një përgjigje për akuzën tjetër të Hektorit se Mentori ishte vetëm basist i grupit 403.
“Unë nuk isha vetëm basisit, por isha themelues, udhëheqës. Unë e emërova grupin si “Grupi 403” dhe jam autor i të gjitha këngëve të asaj kohe. Ai nuk e ka themeluar, nuk e ka udhëhequr por vetëm i ka kënduar këngët të cilat i kam punuar unë”, thekson Mentor Gjurgjiali.
Ai thekson se emërtimi i grupit lindi gjatë kohës së tij studentore përgjatë viteve të 80-ta.
“Grupi 403 nuk e mori emrin nga gjuajtjet e zareve si e trillon Hektori nëpër intervistat e tij, por nga dhoma e hotelit në të cilën qëndrova unë gjatë takimeve të studentëve të Fakulteteve Juridike në Slloveni”, shprehet ai.
Mentori tashmë akuzon vëllain e tij edhe për publikimin e disa këngëve në emër të grupit 403, dhe se sipas tij, për këto publikime nuk ka pas unifikim të grupit.
“Hektori fshehurazi dhe pa lejen time dhe te anëtarëve të grupit, incizoi disa këngë me ca instrumentalistë tjerë dhe i publikoi si këngë të Grupit 403, edhe pse të gjithë anëtarët e Grupit 403 ishin në Kosovë në vitet 1986-87”, tha Gjurgjiali.
Ai shton se solisti i këtij grupi, Hektor Gjurgjiali “e ka shfrytëzuar famën e grupit për nevoja të promovimit vetanak”. Në anën tjetër, Mentori vlerëson se grupi 403 ka pushuar së vepruari që nga shkuarja e tij në mërgim.
“Çdo këngë e incizuar në ndërkohë në emër të Grupit nuk ka lidhje dhe nuk pranohet si e Grupit 403. Të gjithë anëtarët e Grupit vazhduan karrierat e veta jashtë skenës muzikore”, u shpreh Mentor Gjurgjiali.
Ai akuzon vëllain e tij për fshehje të autorësisë të këngëve, teksa në platformën YouTube këngët e këtij grupi, sipas tij, paraqiten sikur të jenë të Hektor Gjurgjialit.
Ndërkohë, Hektor Gjurgjiali në fundin e vitit 2020 publikoi dy videoklipe të këngës “Akoma po të pres” si dhe origjinalin e vitit 1995. / KultPlus.com