29 Dhjetor, 2017 - 12:14 pm
Rok-këngëtari shqiptar, Eugent Bushpepa, ka arritur që karrierën e tij ta ndërtojë falë performancave të shumta ‘live’ sidomos nëpër emisione televizive. Ai vlerësohet si një prej vokaleve më të mira mashkullore shqiptare dhe “Maska e madhështisë” është hiti më i madh i tij.
Këngëtarin e kem parë shpesh nëpër festivale, por që suksesi i tij më i madh doli të jetë këtë vit në Festivalin e RTSH-së, në të cilin arriti të fitojë çmimin e parë dhe në këtë mënyrë që të jetë pikërisht ai i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar në garën më të madhe evropiane të këngës, “Eurovizion 2018”, i cili vitin e ardhshëm do të mbahet në Portugali.
Eugenti u prezantua me këngën “Mall”, një krijim tërësisht i tij, transmeton “Express” në KTV.
Si zakonisht, përzgjedhja për “Eurovizion” gjithmonë zgjon debat të ashpër në media, por edhe në vetë komunitetin e këngëtarëve.
Pos tjerash, një reagim të gjatë ka pasur nga këngëtarja Manjola Nallbani, e cila ka qenë një prej këngëtareve pjesëmarrëse këtë vit në RTSH. Ajo ka vënë në pah faktin se si fituese është ditur shumë më herët, ashtu siç ka ndodhur deri tash.
“Nuk kam asgjë me fituesin, sepse Eugenti është këngëtari i mirë e kënga ishte e bukur, por një gjë nuk kuptova. Po kaq këngëtarë e këngë të mira ishin edhe të Elton Dedës, Mariza Ikonomit, Redon Makashit e ndonjë tjetër, dhe sigurisht kënga ime “I njëjti qiell”, por për asnjë nga to nuk kisha dëgjuar që do të ishin fituese që para 20 ditësh si për fituesin aktual, megjithëse kënga fituese kuptohet vetëm në momentin kur këngëtari këndon ‘live’ në skenë, apo jo? Sa për jurinë, unë akoma sot nuk e di e sata u rendita në këtë festival”, ka shkruar –pos tjerash këngëtarja e njohur në postimin e saj.
https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA
Edhe vetë këngëtari fitues ka pasur një reagim pas gjithë diskutimeve të bëra, megjithëse urimet për të nuk kanë munguar nga emra të njohur si Aurel Gaçe e Juliana Pasha, sipas së cilave, Bushpepa e ka merituar këtë fitore.
Ndërkohë, në reagimin e tij përveç tjerash, Eugenti ka shkruar: “Mësohesh me mbyllje shtigjesh dhe goditje bërrylash. Bën paqe me to dhe i lë gjërat të rrjedhin, duke ushqyer dilema mbi ekzistencën tënde si artist. Befas një dritë në horizont e lënë ndezur nga dikush enkas për mua për zbulimin e një shtegu të ri nis dhe me ushqen një tjetër ndjenjë, atë të mbivlerësimit. Mos vallë jam mbivlerësuar dhe prandaj u la ndezur? Ajo dritë ndriçon aq shumë, saqë arrij të shoh se rruga që vazhdon pas saj mbart plot sfida, por ndihem i fortë t’u bëj ballë falë mbështetjes së fytyrave të bukura që më shoqëruan deri te kjo dritë, në këtë fillim rrugë të re”.
Këngëtari ka thënë se do të japë maksimumin për një përfaqësim sa më të denjë në skenën e madhe të “Eurosong”-ut.
Muaj më parë, Eugenti mbajti një koncert në Pejë në kuadërtë edicionit të 8-të në “Ainbar”-it. Ai arriti të krijojë një atmosferë fantastike me performancat e tij të cilat u shoqëruan me shumë duartrokitje dhe brohoritje dhe këtë ai e quajti ‘pritje fantastike’.
Në një intervistë për emisionin “Express”, ai pati bërë të ditur se po punon për albumin e ri.
Këngëtari deklaroi se nuk ka një kohë të caktuar se kur do të lansohet albumi, por që kishte premtuar se një promovim do t’i bëjë edhe në Kosovë.
Përfaqësuesja e fundit e Shqipërisë në “Eurovizion”, Linda Halimi, nuk pati arritur kualifikimin për finalen e madhe, ndërkohë pritet të shihet nëse Eugent Bushpepa do ta kapërcej fillimisht këtë sfidë, me të cilën nuk ai kanë dalë dot shumë përfaqësues të tjerë. / KultPlus.com