Mes dhimbjes e dashurisë, Ramë Lahaj jetësoi Festivalin Operistik në Kosovë

8 Gusht, 2021 - 10:30 am

Era Berisha

Fotografitë: Arben Llapashtica

Ngjyrat operistike të zërave që të lënë pa mend por të mbushura me emocione nga më të ndryshmet e që depërtojnë përtej lëkurës së njeriut për të arrirë në thellësinë e fshehur të tij, aty ku rrahjet e zemrës buçojnë furishëm teksa valëviten mes vete si një harmoni melodish, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i tre zërave botërorë si: tenori Ramë Lahaj, sopranoja Lana Kos dhe baritoni Simone Piazzola, të cilët nën dirigjimin e veçantë të italianit Antonello Allemandi, mbrëmë atmosfera në sheshin ‘Skënderbeu’ u pushtua nga madhështia e zërave artistik, që porsi një ylber lëkundeshin në ngjyra diversive e magjishëm ndërlidheshin me tingujt e instrumenteve të cilat u gjallëruan nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ në kuadër të edicionit të parë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, pikturoi Prishtinën me ndjenja aq të fuqishme sa që gjurmën e pashlyeshme nuk do të donte ta zëvendësonte askush, shkruan KultPlus.

Zogjtë me vallëzimin e cicërimave të tyre, flladi i butë i netëve verore, dritat e ngrohta lartë në qiell, shushurimat e melodive që lehtas dëgjoheshin nga instrumentet e të cilat po bëheshin gati të ringjallen përsëri, dhe sytë e kalimtarëve që kthenin kokën për të njëqindtën herë për të shikuar se çfarë po ndodhte, ishin këto veçanti të bukura që po shoqëronin çdo njeri fiks një orë para se magjia operistike të zinte vendin kryesor në skenën gjigande të vendosur përballë audiencës. E gjysma e karrigeve tashmë ishin të mbushura plot teksa një varg njerëzish që nuk po i dihej fundi, me padurim po prisnin radhën për të hyrë brenda e disa të tjerë preferonin të shfrytëzonin shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Ora shënoi 20:40 e duke filluar nga karriget e kuqe në fillim, të katërtat e të zezat mu në mes e deri tek ato të bardhat në fund, publiku tashmë kishte mbushur çdo hapësirë të mundshme për të shijuar atë që pas pak minutash do të fillonte e që në vete ngërtheheshin surprizat e shumta të njëpasnjëshme. Ndonëse qetësia absolute në një ambient të tillë është tejet e paimagjinuar, në publik mbizotëroi respekti i madh kur lëvizja e parë e dirigjentit të njohur italian, Antonello Allemandi papritmas theu pritjen e publikut e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës filloi jetësimin e instrumenteve diversive të cilat qysh në sekondën e parë u shndërruan në trupa të dytë në skenë krahas instrumentistëve, lëvizjet e së cilëve për bazë kishin ashpërsinë e ëmbël që vërehej lehtësisht gjer në fund të audiencës.

Pas interpretimit të mahnitshëm e tejet emocionues të veprës ‘Baresha’, që shënoi fillimin e koncertit e njëkohësisht nderoi lartë ikonën, Nexhmije Pagarusha, në skenë doli tenori shqiptar Ramë Lahaj, i cili u mirëprit me duartrokitjet e publikut që pas disa sekondave pushuan për t’i dhënë rastin të marrë fjalën. Ai filloi me një fjalim të shkurtër, dukë falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre që me padurim prisnin magjinë e zërit të tij, e gjithashtu për të shprehur se Nexhmija gjithmonë do të mbetet në zemrat e çdo kujt, teksa fotografitë e saj lëshoheshin anash si një rrjedhë e bukur kujtimesh.

Një artist me famë ndërkombëtare që ka prekur skenat e mëdha botërore, Ramë Lahaj mu në mesin e Prishtinës të mbushur me artdashës e krijues artistik, me një qëndrim pingul në skenë e me një orkestër të tërë prapa tij, zëri i tij i cili posedonte nota të larta në çast zgjoi terqethët e qenies njerëzore që po përjetonin timbrin shkëlqyes të vokalit të tij unik, me ç’rast tingujt e këngës spanjolle u interpretuan në një mënyrë aq mbresëlënëse sa që kur zëri i tenorit arriti deri në kulm, ishte publiku ai që shikonte e dëgjonte me entuziazëm majën shurdhuese të talentit që Lahaj me një mjeshtëri madhështore e derdhte nga brendësia shpirtërore e tij.

Pas këtij interpretimi, në skenë performuan ndaras edhe dy yje botërore si baritoni Simone Piazzola dhe sopranoja Lana Kos. Piazzola i veshur në të zezë në një kostum klasik, interpretoi veprën ‘Nemico della patria’ e sopranoja Kos u shfaq me një fustan të bardhë duke dhënë një iluzion se një engjëll i bardhë sapo kishte shkelur këtë skenë magjepsëse e po këndonte pikërisht për publikun kosovar.

Sheshi kumbonte nga turma e brohoritjet e duartrokitjet e publikut që tashmë ishin bërë pjesë kyçe e çdo vepre të performuar dukë lënë gjurmë në atmosferën e krijuar kurse nuk munguan as video prezantimet e dedikuara për atdheun e mërgimtarët që shfaqeshin anash skenës e që ringjallnin kujtime e zgjonin emocione të veçanta e të ndryshme për qytetarët e Kosovës. Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre videove që shikoheshin me admirimin e syve të pranishëm, tenori Lahaj bëri të ditur se një surprizë e vogël pas pak momentesh, nuk do të jetë më e tillë.

Përpara audiencës që nuk po ngopej dot me madhështinë e këtyre talenteve e tek të cilët gjithmonë vërehej uria e tyre për të dëgjuar hyjnizimin operistik të gërshetuar me simfoniken e Orkestrës së Kosovës, doli tenori i njohur botëror, Xhelal Bakraqi. Dëshmia se dashuria e papërmbajtur për operën e dëshira e madhe për ti dhuruar publikut tonë një natë që do ngelet në kujtesën tonë e ku harresa nuk vihej në pyetje, u shpalos mbrëmë më së miri nga vetë Bakraqi i cili pushtoi skenën me një timbër të jashtëzakonshëm, teksa duart e dirigjentit Allemando dhuronin imazhin e një dallëndysheje, krahët e të cilit përplaseshin në një harmoni të lëvizjeve të shpejta, precize e shumë delikate.

Në këtë natë e cila solli së bashku tenorin Lahaj, sopranon Kos dhe baritonin Piazzola, nuk do të kishte kuptim nëse të tretë së bashku nuk do të gërshetonin talentin e tyre në një tingëllimë të vetme e që në të vërtetë interpretimi i tyre së bashku pushtoi tërë Prishtinën duke kapluar zemrat e të pranishmëve në guaskën e ngjyrave të zërit që lehtësisht jehonte në qiellin e hapur të qytetit e depërtonin deri në mbulojën e shpirtit të publikut që kishte kohë pa dëgjuar një koncert të tillë të papërsëritshëm.

Ndërkohë, vepra e titulluar ‘O moj e bukura Arbëri’ nga Adhurim Grezda dhe Endrit Xerxa erdhi në një frymë të shumëpritur nga publiku që po adhuronte muzikën shqipe e edhe më shumë kur këndohej nga këta shqiptar të cilët prekin skenën botërore por rikthehen sërish në vendin e tyre për të performuar me sukses të plotë një program të pasur në përmbajtje e që pothuajse ulërinte në veshin e çdo kujt duke lënë momente të ngulitura thellë në shpirtin e publikut. Por kjo natë e cila në secilin moment frymonte copëza magjike, u përmbyll më herët, për arsye se tenori Lahaj në skenë bëri të ditur se dy orë para se koncerti të fillonte, nëna e tij fatkeqësisht kishe vdekur por dashuria e tij e madhe për të interpretuar para publikut kosovar nuk e ndaloi atë që të mos e anulonte koncertin.

Pas këtij lajmërimi të paparashikuar, gulçimet në publik ishin në numër të madh e lotët e tyre përcilleshin me duartrokitjet nga më të zjarrta që një njeriu mund ti përjetonte ndonjëherë në jetë. Andaj, programi i plotë i planifikuar nuk u interpretua por që ky koncert i cili filloi me emocione të hareshme e u mbyll me ndjenja të papërshkruara, vendosi përkufizimin e saktë se talenti i tenorit Ramë Lahaj kalon përtej çdo limiti e shpresa se një artist i tillë të rikthehet çdo vit në Prishtinë u vulos dukshëm në zemrën e secilës qenie njerëzore të pranishme.

Për të treguar më shumë rreth natë së mbrëmshme, për KultPlus foli tenori Xhelal Bakraqi.

“Ka qenë një natë e mrekullueshme, nuk e mbaj mend që ka pasur ndonjëherë kaq shumë njerëz në Prishtinë. Me të vërtetë ka qenë një koncert shumë i mirë andaj edhe unë u mundova ta dhuroj maksimumin nga vetja për të kënaqur të gjithë këta mysafirë sonte. Të gjitha veprat ishin të bukura sepse këngëtari e ngjall secilën vepër e edhe Orkestra më ka pëlqyer shumë. Por, në fund Lahaj na brengosi të gjithëve, por artistët gjithmonë janë pajtuar me të mirën e të keqën”, thotë Bakraqi.

Sipas tij, publiku është gjithmonë ai që lë më së shumti përshtypje sepse pa publik nuk ka performancë e tërheqja mes të dyjave është tejet e madhe.

Ndërsa, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari për KultPlus e cilësoi këtë natë tejet të veçantë meqë për herë të parë po organizohet një festival operistik ku pjesë e tij është Filharmonia e Kosovës.

“Orkestra simfonike ka realizuar një program të larmishëm operistik dhe ajo se cka më ka bërë përshtypje është dëshmia se Prishtina e kombi ynë ka kulturë. Mbi 2,500 ulëse së bashku me shkallët e Teatrit dhe përqendrimi i jashtëzakonshëm nga orkestra e solistëve, tregon për një nivel të jashtëzakonshëm që seriozisht komuniteti artistik duhet ta ketë parasysh se tashmë mund të llogaritet një seriozitet i organizimit të koncerteve të muzikës klasike”, thotë Jashari.

Sipas tij, ajo se çfarë muzika klasike interpreton nuk është thjeshtë vetëm për 400 njerëz por për mijëra njerëz.

“Përcjellja me vëmendje e krejt publikut prezent në çdo moment dhe mos lëshimi i koncertit nga asnjë person, është arritja më e madhe krahas fillimit të një festivali mjaft të rëndësishëm e cila koincidon me fillimin e themelimit të institucionit të Operës së fundmi nga Qeveria e Kosovës”, përfundon Jashari për KultPlus.

Kjo ngjarje vjen si bashkëpunim ndërinstitucional në mes të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com

Të ngjajshme