Meta vlerëson me dekoratën ”Nderi i Kombit” Bandën Kombëtare VATRA

1 Shtator, 2020 - 12:00 pm

Presidenti Ilir Meta me anë të një ceremonie solemne, të organizuar në kopshtin e Institucionit të Presidencës, ka vlerësuar Bandën Kombëtare Muzikore “Vatra” dhe themeluesin e saj, dirigjentin dhe kompozitorin Thoma Nasi, me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Kjo dekoratë u dha me motivacionin “Për sakrificat e kontributin e jashtëzakonshëm dhënë me ardhjen në Shqipëri, në pjesëmarrjen e tyre në Luftën e Vlorës në vitin 1920, për rolin që luajtën në forcimin e marrëdhënieve diplomatike e kulturore mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar përfaqësuesve të qeverisë, ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim, shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, akademikëve, historianëve, familjarëve dhe personaliteteve të ftuara, Presidenti Meta u shpreh se “120 vullnetarë shqiptaro-amerikanë, të mbledhur dhe të përgatitur nga federata “Vatra” në SHBA, erdhën në Shqipëri për të dhënë ndihmën e tyre për çështjen kombëtare shqiptare, duke lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun edhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, për të dalë në Drashovicë ku ishte ndezur Lufta e Vlorës. Me këngët e saj, Banda Muzikore “Vatra” mbajti lart moralin e forcave që luftonin furishëm në Tepelenë, Drashovicë dhe kudo përreth qytetit të Vlorës”.

Kreu i Shtetit, në kuadër të kremtimeve të 100-vjetorit të luftës së Vlorës, ka vlerësuar edhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura me titullin e lartë “Kalorës i Urdhërit të Flamurit”, me motivacionin:

Si vijuese e traditës së madhe të muzikës patriotike, luftarake dhe marciale kombëtare të themeluar nga Banda Kombëtare “Vatra”, për popullarizimin me shumë sukses të krijimtarisë muzikore shqiptare dhe repertorit më të njohur ndërkombëtar në Shqipëri; si orkestra e shtetit shqiptar, që me cilësi artistike dhe disiplinë ushtarake, ka zbatuar në çdo kohë me përpikëri e përkushtim Protokollin e Shtetit Shqiptar, si formacioni muzikor unik që lartëson vlerat e Himnit dhe Flamurit tonë Kombëtar përmes interpretimeve dinjitoze e solemne”, – nënvizoi Meta.

Presidenti Meta gjatë ceremonisë së dekorimit theksoi se “Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura është e vetmja orkestër frymore profesioniste në Shqipëri, pasardhëse e denjë e bandës “Vatra”. Ky shembull frymëzimi duhet të na shërbejë edhe sot për të rinjtë tanë, për profesionistët apo të gjitha kategoritë e shoqërisë që e duan atdheun, se pavarësisht fushave nga vijnë, mund t’i shërbejnë Shqipërisë, zhvillimit dhe përparimit të popullit shqiptar”.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “në kuadër të 100-vjetorit të kësaj epopeje të jashtëzakonshme, jemi përsëri së bashku, për të nderuar një shekull tradite të madhe të atdhedashurisë por edhe të muzikës shqiptare. Sot ne nderojmë Bandën Kombëtare VATRA dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura, të cilat mbartin simbolikёn e shtetit shqiptar dhe tё institucioneve tё lidhura ngushtёsisht me tё”.

“Këto dy banda janë e djeshmja dhe e sotmja e një tradite të bukur muzikore shqiptaro-amerikane. Kjo traditë e ka zanafillën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me krijimin e Bandës Kombëtare VATRA nga Thoma Nasi, trashëgimia e të cilës vijon sot, pas 100 vitesh, me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura. Krijimi i Bandës Kombëtare VATRA do të ishte i pamundur pa Federatën “Vatra”, si dhe pa kujdesin dhe angazhimin patriotik e artistik të Thoma Nasit. Banda VATRA u krijua jo si përfaqësuese e një shoqërie të veçantë shqiptarësh të Amerikës, por si emblema e vetme e tyre muzikore”, – theksoi Meta.

Presidenti Meta tha se “Banda Kombëtare VATRA erdhi në Shqipëri për të dhënë ndihmën e saj për çështjen kombëtare shqiptare me luftëtarët vullnetarë, që kishin lënë Amerikën për të ndihmuar Atdheun, si dhe përmes muzikës e koncerteve të saj, që u shtrinë nga Shkodra në Gjirokastër, nga Elbasani në Korçë, për të dalë në Drashovicë ku ishte ndezur Lufta finale e Vlorës”.

“Edhe sot, në ditën e dekorimit të Bandës Kombëtare VATRA, kemi në dorë, për herë të parë, publikimin e studimit të Akademikut Vasil Tole “Banda Kombëtare VATRA – Një histori unike shqiptaro-amerikane” dhe CD e këngës patriotike Vlora-Vlora. Falë Thoma Nasit dhe bandës VATRA, roli i muzikës në vitet 20-të, u ridimensionua në shoqërinë shqiptare. Qeveritë shqiptare u angazhuan për t’i dhënë shtetit shqiptar një dimension më kulturor, për ta vendosur kulturën dhe posaçërisht muzikën në themel të identitetit të tij”, – theksoi Meta.

Presidenti Meta tha se “një komb që arrinte të krijonte të tilla grupe si Banda “Vatra” dhe të donte muzikën, aq sa njerëzit e shprehnin këtë me vërshimin nëpër koncerte, natyrisht që meritonte lirinë e tij”, – do të shprehej profesor Sederholm, pjesëtar i grupit të Lidhjes së Kombeve që monitoronte kufirin jugor të Shqipërisë në vitet 1920-të”./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme