25 Shkurt, 2020 - 12:00 pm
Bendi i njohur i muzikës “Metallica”, ka bërë të ditur se i ka anuluar pjesëmarrjet në dy festivale të rëndësishme muzikore, të cilat ishin planifikuar për në fund të këtij viti, me qëllim që ta mbështesin shërimin e vokalistit të grupit, James Hetfield, nga vartësia prej drogës dhe alkoolit.
Këngëtari i njohur ishte regjistruar në një qendër rehabilituese në shtator të 2019-s, kjo pasi po përballej me vartësinë nga droga dhe alkooli. Ballafaqimi i Hetfieldit me këtë problem ishte detajuar edhe në të kaluarën, në dokumentarin e vitit 2004, “Some Kind of Monster”.
Dhe kështu është bërë e ditur se “Metallica”, më nuk do të performojë në festivalin “Columbus’ Sonic Temple” i cili mbahet në muajin maj, dhe festivalin “Louisville’s Louder Than Life” i planifikuar për muajin shtator. Në këto ngjarje, bendi do të zëvendësohet nga grupet “Red Hot Chili Peppers” dhe “Tool”, transmeton Koha.net.
Ndërkaq, pjesëmarrja e grupit “Metallica” në ngjarjet tjera si, “Epicenter”, “Welcome To Rockville” dhe “Aftershock”, do të shkojë sipas planit.
James Hetfield i ka informuar adhuruesit rreth rrugëtimit të deritanishëm, duke thënë se terapia po shkon shumë mirë dhe është optimist për atë që e pret në të ardhmen.
Javën e kaluar, Hetfield e shënoi paraqitjen e parë në publik që nga hyrja në rehabilitim. Muzikanti i njohur morri pjesë në një ngjarje përkujtimore për yllin e ndjerë, Eddie Money, i cili vdiq në shtator të vitit 2019. / KultPlus.com