30 Tetor, 2023 - 1:54 pm
‘’La Femme’’, projekti për gratë kompozitore nga e gjithë bota i realizuar me mjeshtëri nga Flaka Goranci e cila është producente, kompozitore dhe këngëtare e këtij projekti të madh, po vjen në Tiranë, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë artistja, përderisa është shprehur se përmes këtij projekti ka dashur të sjell në vëmendje historitë inspiruese dhe muzikën e mrekullueshme nga gratë kompozitore nga vende të ndryshme të botës.
Ky program është pjesë e CD-së “La Femme” të prodhuar nga Naxos Deutschland dhe i nominuar nga çmimi i madh Internacional Opus Klassik në kategoritë “ Këngëtarja më e mirë e vitit”, “Klasik pa kufinjë” si dhe “videoklipi më i mirë”.
Ky koncert është pjese e turneut të “La Femme” dhe përmbyll Javën Kulturore Ndërkombëtare, të organizuar nga Ministria e Kulturës në Tiranë dhe Ambasada Austriake në Tiranë.
“Jam e nderuar të përmbyllim Javët e Kulturës me një program që sjell një mesazh kaq të madh për botën, sidomos në këto kohë të vështira”, është shprehur mezosopranoja Flaka Goranci.
Ky koncert do të udhëhiqet nga dirigjenti Konstantinos Diminakis dhe do të luaj Orkestra simfonike e forcave të armatosura.
Koncerti mbahet ditën e martë, 31 tetor, në ora 19:00, në Hotel Rogner, Salla Antigonea në Tiranë. / KultPlus.com