Ministrja Dumoshi takoi tenorin me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj

18 Shkurt, 2020 - 11:12 am

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, priti sot në takim tenorin me renome ndërkombëtare Ramë Lahaj, i cili vizitoi ministren për t’i uruar marrjen e detyrës dhe Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ministrja e falënderoi tenorin Lahaj për kontributin dhe angazhimin e tij në fushën e kulturës në përgjithësi, e sidomos për promovimin e kulturës shqiptare nëpër botë si dhe forcimin e imazhit të Kosovës nëpër ngjarje kulturore kudo që merr pjesë.

Po ashtu, ministrja Dumoshi, e informoi për planet dhe programin që pritet të realizohet në fushën e kulturës, duke përmendur edhe projektet infrastrukturore fizike të kulturës ku veçoi objektin e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova” i cili është në fazën e vlerësimit të hartimit të tij dhe komisioni vlerësues do të themelohet shumë shpejt.

Ndërkaq, nga ana e tij, Lahaj tha se është e nevojshme krijimi i hapësirave për artistët që të kenë ku të performojnë dhe mbështetja e kulturës do të jetë inkurajim që artistët e rinj të krijojnë edhe më shumë. / KultPlus.com

Të ngjajshme