29 Korrik, 2022 - 1:39 pm
Komuna e Tetovës ka organizuar netët festive të “Verës Tetovare”, nën moton “Të festojmë në vendlindje”. Mbrëmë ka qenë radha e “Natës Shkodrane” e cila është mirëpritur nga publiku tetovar.
“Mikpritja që tetovarët i rezervuan Ansamblit të Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, OJQ Korit “Nexhmije Pagarusha” si dhe artistit Mirush Kabashi, do të mbahet mend gjatë”, njoftoi bashkia Shkodër, në rrjetet sociale.
Koncerti u zhvillua në sheshin “Iliria” të Tetovës.
Komuna e Tetovës zgjodhi këtë mbrëmje artistike, për t’i akorduar “Çelësin e ardhmërisë”, kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia. Çelësi është vepër e artistit Adem Bajrami.
Simboli i këtij qyteti është konceptuar për të mbyllur të kaluarën me aq shumë peripeci dhe për të hapur portat e së ardhmes.
Më herët mes bashkisë Shkodër dhe komunës së Tetovës u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, në fushën social- ekonomike, turizmit, mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe sportit.
Bashkia Shkodër njoftoi se do të zgjerojë bashkëpunimet me komunat, në të gjithë rajonin, si dhe më gjerë, duke synuar krijimin e mundësive të reja që i shërbejnë zbatimit të projekteve ambicioze në të gjitha sektorët. / atsh / KultPlus.com