15 Mars, 2022 - 7:00 pm
Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin e mirënjohur shqiptar, Vladimir Kotani.
Në ceremoninë e rastit, Presidenti tha se “çdo vlerësim për një figurë të shquar të artit e muzikës është shenjë e mirënjohjes sonë për punën e përkushtuar e të jashtëzakonshme në pasurimin e fondit të muzikës sonë”.
“Vladimir Kotani është një nga kompozitorët më të shquar të vendit. Mbi 1500 këngë shqiptare të muzikës së lehtë mbajnë firmën e tij. Në memorien tonë, emri i kompozitorit të mirënjohur Vladimir Kotani është i lidhur ngushtësisht me festivalet e këngës të fund vitit në Radio Televizion, që mezi i prisnim”, tha ai.
Presidenti vlerësoi se krijimtaria e kompozitorit Kotani ka prekur të gjitha temat e kohës, por dashuria ka qenë lajtmotivi i shumë prej këngëve të tij, gjë që e ka bërë të dashur për artdashësit e të gjithë brezave.
“Krahas kompozimit, Kotani, ka dhënë një ndihmesë të madhe në përgatitjen, kualifikimin dhe afirmimin e talenteve të reja, këngëtarëve, muzikantëve e grupeve artistike, kudo në Shqipëri. Në rolin e tij si pedagog i Universitetit të Arteve ka formuar me dhjetëra artistë e këngëtarë të rinj, të cilët sot performojnë në skena të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.
Ndërkohë, si drejtues e udhëheqës artistik i Pallatit të Madh të Kulturës, Tiranë, ka kontribuar në pasurimin e jetës kulturore e artistike të kryeqytetit dhe jo vetëm, si dhe në edukimin estetik, artistik dhe kulturor të rinisë”, tha Meta.
Presidenti theksoi se “shumë nga këngët e Kotanit janë tashmë pjesë e fondit të artë të muzikës së lehtë shqiptare, me stilin e tyre të veçantë e karakteristik dhe me motivet dhe ngjyrat e tyre kombëtare”. / KultPlus.com