23 Shkurt, 2023 - 7:58 pm
Një artiste japoneze interpretoi himnin kombëtar të Shqipërisë gjatë “Albanian Day” në Tokio të Japonisë.
Kryeministri Edi Rama ndau në një postim në rrjetet sociale, videon me interpretimin e artistes japoneze.
“Himnin tonë të luajtur siç nuk e keni dëgjuar kurrë, nga një mjeshtre e harpës gjatë Albanian Day në Tokio”, shkroi Rama.
Rama po zhvillon vizitë zyrtare në Tokyo, Japoni deri në 25 shkurt në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike Shqipëri-Japoni.
Kryeministri Rama po zhvillon një sërë takimesh, në kuadër të forcimit dhe thellimit të bashkëpunimeve mes dy shteteve, duke rikonfirmuar miqësinë mes dy vendeve, si edhe angazhimin e ndërsjellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në sferën dypalëshe dhe shumëpalëshe, në përballimin e sfidave së bashku si miq dhe aleatë që ndajnë të njëjtat vlera.
Viti 2022 shënoi 100-vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë./atsh/ KultPlus.com