MKRS: Kosova, me Festival të Këngës, tregoi se zemra dhe zëri i saj është i fortë dhe i pandalshëm

29 Tetor, 2023 - 1:32 pm

“La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” është shpallur fitues i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK.  Vendi i dytë i ka takuar Angus Dei me këngën “Një zemër për dy”, kurse Albin Nikprelaj me këngën “Ajo” ka marrë çmimin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK në edicionin e tij të parë.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan se këto mbrëmje dëshmuan se kultura jonë është thelbi i identitetit dhe se muzika është gjuha që flet fuqishëm për të gjitha ndjenjat.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e MKRS-së:

Kosova, me Festival të Këngës, tregoi se zemra dhe zëri i saj është i fortë dhe i pandalshëm.

Tri net magjike me tingujt e bukur të muzikës shqipe, kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat tona. Mbrëmje që na dëshmuan se kultura jonë është thelbi i identitetit dhe se muzika është gjuha që flet fuqishëm për të gjitha ndjenjat.

Festivali i Këngës nuk është vetëm një festë, por është një shtëpi e re për artistët tanë, një rrugë e re e hapur për të arritur më lart, për të shpërfaqur potencialin tonë në skenën botërore të muzikës.

Mbështetja e MKRS-së për organizimin e kësaj ngjarjeje madhështore dëshmon se sa shumë i çmojmë vlerat tona kulturore.

Urime për fituesin e vendit të parë, Arbër Salihu, si dhe fituesit e çmimeve vijuese, Angus Dein, Albin Nikprelaj dhe Saranda Alija. Përgëzime të gjithë artistëve pjesëmarrës./KultPlus.com

Të ngjajshme