MKRS për Fahri Beqirin: Promovoi e ngritit në nivel të lartë artistik muzikën autoktone – shqiptare

18 Maj, 2021 - 1:46 pm

Ka vdekur sot në moshën 85-vjecare, kompozitori i shquar shqiptar dhe ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Fahri Beqiri.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ikjen e kompozitorit, duke e cilësuar si një humbje të madhe për vendin.

Kjo është letra e plotë nga MKRS:

Ndërroi jetë kompozitori, pedagogu i madh i Kosovës, Fahri Haxhibeqiri.

Një figurë emblematike e kompozimit të shekullit 20 dhe filleve të gjeneratave të para të kompozimit në Kosovë, me veprimtari të bujshme që ndihmoi në zhvillimin e gjithëmbarshëm të krijimtarisë dhe prodhimit muzikor.

Fahri Haxhibeqiri u lind në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës. Rrugëtimin e tij profesional e fillon në shkollën e mesme të muzikës në Prizren për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në vitin 1970 Haxhibeqiri diplomon në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”, vepër debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori por për krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në tërësi.

Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionist në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës, e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit Muzikor ku deri në vitin 2011 ishte i angazhuar në procesin e mësimdhënies.

Fahri Haxhibeqiri, kompozitor i veprave si ‘Erdh misiti’, ‘Kënga e rinisë’, ‘Madrigali i Ibrit plak’, ‘Moj e mira’, ‘Shkoj e vij flutrim si zogu’, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Beqiri kompozitori i Scherzo’s, Allaturka-s e më pas edhe i veprave si kuinteti frymor dhe sonatës për klarinet të cilat së bashku me poemën simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike. Në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Haxhibeqiri kishte transformimin kreativ artistik të idiomit kombëtar.

Krahas punës së suksesshme krijuese me vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, Fahri Haxhibeqiri shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë. Drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës tek Radio Prishtina e Ansambli i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Ai është themelues i festivaleve si “Takimet e talentëve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio Prishtinë, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë.

Tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend. Padyshim, dominimi i vlerave të trashgëmisë sonë shpirtërore dallojnë Haxhibeqirin për fanatizmin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës sonë autoktone – shqiptare dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë artistik.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave si dhe çmimin kombëtar për vepër jetësore ‘Niketë Dardani’.

Fahri Haxhibeqiri do të vazhdoj të jetë njëra nga figurat më të nderuara në Kosovë, përjetë. / KultPlus.com

Të ngjajshme