MKRS përkujton Rexhepagiqin: Ajo ishte e veçantë, dokumentoi pozicionin shoqëror të gruas në shoqërinë kosovare

16 Prill, 2021 - 9:28 pm

Një vit nga ndarja nga jeta e Violeta Rexhepagiqit

Violeta Rexhepagiqi, personalitet i shquar i Kosovës me veprimtari të bujshme në gazetari raportuese vendore dhe ndërkombëtare, gazetari hulutmuese, kompozim muzikor, performim muzikor, teksteshkrim.
Një prej muzikanteve më avangarde e alternative e skenës plot jetë të viteve 1980 me grupin e njohur “Vivien” së bashku me personalitetin tjetër të shquar të skenës së muzikës moderne, Armend Rexhepagiqi.

Ekosistemi muzikor i Kosovës – sidomos skena joformale e muzikës qe perfshin trashëgiminë e zhanreve moderne, me rrënjë estetike në fushat e begatshme të rock’n’rollit, ku Kosova ka histori nga vitet 1960 me rock grupet si Blue Star, Marimanga dje një varg grupesh të tjera të gjeneratës së parë që sot numëron më se 400 grupe e muzikantë – do të dukej shumë ndryshe pa personalitetin katalist të kulturës muzikore alternative, new wave, post-punk etj.

Veprimtaria e Violetës e cila kanalizonte disa stile muzikore të viteve 1980 e tutje, mund të thuhet se kishte qasje të ngjashme me të famshmen Kate Bush, por edhe qasje performative vizuale mes grupeve neë-ëave, post-punk me një dozë romantizmi dhe me detaje karakteristike të estetikës së dizajneres Vivienne Westwood.

Muzika e saj dhe e grupit “Vivien” është plot dramë, fantazi, shprehje ekspresive dhe njëkohësisht shumë intime me theks të veçantë tek emancipimi socio-kulturor.

Këngët e saj janë shprehje e një pjese të rëndësishme të gjendjes shpirtërore të rinisë së Kosovës e cila është narrativë e nevojshme për të kuptuar kompleksitetin e zhvillimeve socio-kulturore në Kosovë në pjesën e dytë të shek. XX dhe trashëgiminë shpirtërore e muzikore e cila vazhdon të dokumentojë këtë kohë specifike në historinë moderne të Kosovës.

Ajo eshte shumë e veçantë edhe sepse e dokumentoi tranzicionin e pozicionit shoqëror të gruas në shoqërinë kosovare, me të gjitha sfidat e saj.

Kjo veprimtari e veçantë përmbush dhe e frymëzon çdo brez në Kosovë në shumë rrafshe e fushëveprimtari, krijon urë lidhëse mes brezash ku shohim zhvillim të veçantë estetiko-kulturor dhe ndërlidhje e vazhdimësi të parimeve dhe vlerave shoqërore nga mesi i shek. XX e deri te brezat e ri aktorësh muzikorë vendorë të tri valëve të pasluftës siç është Blerta Kosova, Edona Vatoci, Oborri, Cute Babulja, Por-No, Asgjë sikur dielli, etj e deri te kontribuesit e Kosovës jashtë vendit siç është Andrra.

Një nga nismëtaret shumë të rëndësishme të kulturës moderne kosovare që përmes veprimtarisë së saj gazetarore, muzikore, socio-kulturore kontriboi shumë në emancipimin dhe ngritjen e vetëdijes së vlerave njerëzore, barazinë gjinore, pasurimin e fondit estetik muzikor dhe zhvillimin e kulturës së pasur kosovare.

Kjo veprimtari që shtrihet në disa dekada, me një shumëllojshmëri aktivitetesh, sidomos në vitet 1980 bëri hapat e nevojshëm që ne sot në Kosovë të mund të frymëzohemi nga një personalitet i cili me ngulm dhe me aktivitet të spikatur mbrojti lirinë e shprehjes dhe njohjen e kulturës muzikore në rajon dhe botë.

Kultura kosovare do të kujdeset që puna e Violeta Regjepagiqit të përçohet tutje te të gjithë brezat në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme