23 Qershor, 2020 - 2:12 pm
Ylfete Fanaj është zgjedhur me shumicë të madhe të votave kryetare e parlamentit të Kantonit të Lucernit.
Me këtë rast zonja Fanaj mbajti një fjalë emocionuese, me të cilën iu drejtua deputetëve që e zgjodhën. “Jam e emocionuar dhe mirënjohëse që më votuat përkundër faktit se jam me prejardhje të huaj. “Faleminderit shumë”, ka thënë në gjuhën shqipe Ylfete Fanaj.
Një element tjetër shqiptar në këtë eveniment ishte edhe dorëzimi i një pikture të artistit shqiptaro-zviceran Samedin Asllani që iu bë Fanajt me rastin e zgjedhjes së saj në këtë post të lartë.
Në momentin kur krerët e Parlamentit dhe të partisë së saj e uronin Ylfete Fanajn për zgjedhjen e saj kryetare e Parlamentit të Kantonit të Lucernit, këngëtarja zvicerane doli në skenë, duke kënduar këngën e njohur arbëreshe “Moj e bukura More”, raporton albinfo.ch.
Në fytyrën e Ylfetes dhe familjarëve të saj vëreheshin emocione të papërshkrueshme, ndërsa deputetët dhe publiku filluan duartrokitjet nën ritmin e këngës së mirënjohur./ Albinfo.ch/ KultPlus.com