29 Nëntor, 2022 - 7:00 pm
Këngëtarja shqiptare me famë botërore Dua Lipa elektrizoi mbrëmjen e djeshme Tiranën me koncertin përmbyllës të turit të saj në të gjithë botën “Future Nostalgia”.
Shqiptarët, shumë të ardhur edhe nga Kosova dhe trevat shqipfolëse enkas për koncertin e saj në Tiranë, shijuan performancën e artistes më të njohur shqiptare në mbarë botën, koncert që përkoi edhe me Festën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Dua kishte përzgjedhur disa prej këngëve hit të saj, ndërsa performanca arriti kulmin kur këngëtarja mori flamurin shqiptar dhe bëri simbolin e shqiponjës.
Në fund të koncertit një spektakël fishekzjarrësh ndezi sheshin “Skënderbej”, që edhe pse në temperatura të ulëta ishte mbushur plot.
Koncerti i Dua Lipas ishte falas për të gjithë qytetarët.
Dua Lipa ka hyrë në tregun ndërkombëtar prej disa vitesh dhe ka arritur të prekë majat e suksesit. Kohët e fundit ajo ka arritur të rrëmbejë çmime mjaft të rëndësishme si “The Global Awards”, “Grammy Awards” etj./atsh/ KultPlus.com